Politike

Pas takimit me Mitsotaqis, Rama ndryshon komisionin për detin

Në njoftimin zyrtar të Qeverisë shqiptare mbi takimin në Athinë mes Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministrit grek, Qirjakos Mitsotaqis flitet vetëm për një takim me frymë pozitive, me zotimin për të diskutuar çështjet me interes të përbashkët për të dyja vendet.

Por, një ditë pas këtij takimi, Qeveria ka shkrirë Komisionin e ngritur për kufirin detar me Greqinë, që në kohën e ish-ministrit Ditmir Bushati, duke reduktuar pjesëmarrësit dhe ulur nivelin e përfaqësimit politik të tij.

Ndryshe nga komisioni i deritanishëm, që përbëhej nga ministrat, komisioni i ri do të përbëhet nga zëvendësministrat, duke nisur nga zëvendësministri i Jashtëm, që është njëkohësisht edhe kryetar, një zëvendësministër i Brendshëm, zëvendësministër nga Ministria e Mjedisit, zëvendësministër nga ministria përgjegjëse për furnizimin me ujë të pijshëm dhe kanalizimet, zëvendësministër i Energjisë, zëvendësministër i Bujqësisë dhe zëvendësministër i Mbrojtjes.

Roli i sekretariatit teknik të këtij Komisioni i jepet sërish Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore, por me kompetenca të ndryshuara. Në grupin e parë, ky sekretariat kishte për detyrë katër pika, hartimin e programit të mbledhjes së komisionit, hartimin e drafteve sipas tematikave përkatëse, njoftimin e anëtarëve dhe realizimin e detyrave të tjera që i ngarkoheshin nga kryetari i Komisionit.

Në Komisionin e re, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore do të organizojë mbledhjet dhe njoftojë anëtarët, planifikojë dhe hartojë projektaktet sipas tematikave, realizojë çdo detyrë tjetër që i ngarkon kryetari i komisionit dhe raportoi periodikisht direkt tek Kryeministri për veprimtarinë e Komisionit.

Sipas këtij vendimi të miratuar këtë të mërkurë nga Qeveria, titullarët e institucioneve të përmendura në këtë VKM ngarkohen me detyrën që të caktojnë përfaqësuesit e tyre. Ministri i Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj pritet që të caktojë zëvendësministrin e Jashtëm, Etjen Xhafajn, që do të jetë edhe kryetar i këtij komisioni.

Ndryshimi tjetër është edhe reduktimi i numrit të anëtarëve. Komisioni i mëparshëm përbëhej nga 13 anëtarë, ndërsa komisioni i ri do të jetë me 7 anëtarë. Gjithashtu, ndryshime pritet të pësojnë edhe grupet e punës me ekspertë të ngritura nga komisioni i mëparshëm.

Nuk dihet nëse ndryshimet janë kërkesë e Kryeministrit të ri grek dhe as nëse dy palët do të vazhdojnë të punojnë mbi ato që u arritën në bisedimet e udhëhequra nga Nikos Kotzias dhe Ditmir Bushati, apo gjithçka do të nisë nga zero.

Por, ajo që mund të thuhet deri më tani është që grupi i ri negociator shqiptar, përveç reduktimit të përbërjes bie edhe nga “pesha” e përfaqësimit, që tashmë nuk është në nivel ministri, por në nivel zëvendësministrash dhe kjo pritet që të shoqërohet edhe me hermetizimin e mëtejshëm të këtyre bisedimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë