Futboll

Pas sulmit në Lezhë, flasin futbollistët afrikanë: Racistët i largoi presidenti

Në orët vona të mbrëmjes së djeshme dy futbollistë afrikanë të ekipit të Besëlidhjes janë sulmuar nga një grup të rinjsh. Ngjarja e ndodhur në qytetin e Lezhës është zbardhur pasditen e kësaj të enjte nga vetë dy futbollistët afrikanë. Të dy lojtarët, Oumar Kamara dhe Isak Kamara që ranë pre e sulmit nga të rinjtë, pasi kanë bërë denoncimin në polici kanë folur për RTSH, duke dënuar këtë ngjarje. Ata kanë thënë se janë të habitur nga një ndodhi e tillë, pasi jetojnë prej kohësh në Lezhë dhe nuk kishin pasur asnjë problem më parë.

Isak Kamara ka përshkruar ngjarjen, duke thënë se të rinjtë kishin zbritur nga makina dhe pasi i kishin ofenduar filluan t’i gjuanin edhe me sende të forta. Ai tha se është zhgënjyer nga një sjellje e tillë, pasi ai ka dhënë gjithmonë maksimumin për ekipin e Besëlidhjes.
“Bashkë me shokun tim mbaruam stërvitjen dhe po shkonim në shtëpi. Dy djem me makinë na sulmuan verbalisht me fraza raciste dhe unë iu përgjigja me gjest. U larguam përkohësisht por na gjetën dhe vazhduan të na ofendonin duke na kërkuar që të largoheshim nga qyteti. Na dolën më pas 3 djem në rrethrrotullim dhe na sulmuan me sende të forta dhe u përleshëm. Shoku im telefonoi presidentin i cili erdhi menjëherë dhe situata u qetësua, shkuam në polici dhe bëmë denoncimin. Jam i zhgënjyer me këtë ngjarje sepse kemi dhënë gjithçka këtu,”- ka thënë me tej futbollisti i Besëlidhjes.

Ndërkohë Isak Kamara ka mbetur i tronditur nga ky sulm dhe i ka cilësuar të rinjtë si racistë dhe nuk kanë lidhje me tifozët dhe qytetarët e tjerë të Lezhës. “Nuk e di pse ndodhi kjo, jam prej vitesh në këtë qytet dhe nuk më kishte ndodhur diçka e tillë. Mund të them që janë vetëm racistë dhe jo njerëz që kanë konflikte personale me ne”, deklaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë