Kombetarja

Pas sulmeve ndaj Kombëtares, Duka ka dy fjalë për tifozët VIP dhe ata kuqezi

Humbja e thellë 4-1 me Francën ka rizgjuar kritikët e Kombëtares. Specialistë, opinionistë, por edhe tifozë të thjeshtë të Kombëtares kanë nisur një sulm ditët e fundit kundër ekipit në shumë drejtime, duke nxjerrë në pah defektet e shuma që skuadra ka momentalisht.

Në këtë situatë ka reaguar edhe presidenti i FSHF-së, Armando Duka. Përmes një mesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale, Duka ka thumbuar të gjithë kritikët. Duke i cilësuar “tifozë Vip”, Duka thotë se pranë Kombëtares nuk duhet të qëndrojmë vetëm në ditët e mira, por edhe në të këqijat.

“Më kujtohet tre vjet më parë kur disa prej tyre ishin gati ta ndërronin foton e Ismail Qemalit me atë të Gianni De Biasit..Duke mos i kursyer duartrokitjet për Kombëtaren e Kosovës, tifozë të dashur Kuq e Zi, mos u bëni si Vipat tanë: nuk është aspak qytetari ta duash kombëtaren e vendit tënd vetëm kur është në ditët më të mira:”- shkruan Duka ndër të tjera.

Më tej duke u ndalur te suksesi që po korr këto kohë Kosova, Duka thotë se janë po të njëjtët “tifozë Vip” që po nxitojnë të marrin pjesë nga suksesi i këtij ekipi, ashtu siç bën me ekipin kuqezi kur shkoi në Europian.

Reagimi i plotë i Armando Dukës:

Dy fjalë për tifozat Vip dhe ata kuqezi

Rastësisht, sot pashë një status të një tifozeje të thjeshtë (Jo vip ) të Kombëtares Shqiptare, që mendoj në fakt se është zemra e çdo tifozi Kuq e Zi : " KOMBËTARE, DO TË VAZHDOJ TË TË DUA, EDHE NË DITË TË MIRA, EDHE NË DITË TË KËQIJA" . Është një mesazh në fakt që përpara se ta lëshoja unë si President i Federatës së Futbollit, do ishte më e dobishme ta dëgjonim nga goja e të parëve të shtetit apo të ashtuquajturit tifoza Vip që vijnë në stadiume vetëm kur jemi në fitore.

Në fakt, nuk ka të papritura, Vipat tanë kudo ku ndodhen, në politike dhe jashtë saj, turren gjithmonë për t'u bërë pjesë e pamerituar e suksesit të të tjerëve: kështu po bëjnë sot me Kombëtaren e shkëlqyer të Kosovës, madje po turren më shpejt për të shqyer "tortën e suksesit" me shpejt se dhe vetë polikanët kosovarë apo Vipat kosovarë...Më kujtohet tre vjet më parë kur disa prej tyre ishin gati ta ndërronin foton e Ismail Qemalit me atë të Gianni De Biasit..Duke mos i kursyer duartrokitjet për Kombëtaren e Kosovës, tifozë të dashur Kuq e Zi, mos u bëni si Vipat tanë: nuk është aspak qytetari ta duash kombëtaren e vendit tënd vetëm kur është në ditët më të mira: duajeni Kombëtaren dhe kur nuk është në ditët e saj më të mira, se me dashurinë tuaj ditët e mira vijnë shpejt: u mposhtëm nga Kampionët e Botës, por ëndrra jonë nuk ka mbaruar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë