Dy ditë pas skandalit me të publikimit të pagave të qytetarëve, në rrjet po qarkullon një databazë me targat e automjeteve të shqiptarëve. Në databazë, listohen targat bashkë me emrin, të cilit i përket automjeti që ka atë numër identifikues.
Databaza është e ndarë në disa kolona, ku listohen targat, modeli i automjetit, tipi, ngjyra e tij, numri i shasisë dhe emri i personit që e ka në pronësi. Janë 530 452 qytetarë, të cilëve u janë publikuar të dhënat e automjetit.
Prej dy ditësh në rrjetet sociale dhe online, kanë qarkulluar dy databaza të tjera me të dhënat personale të qytetarëve.
Njëra prej tyre përmban listën e pagave të shqiptarëve për muajin janar 2021, ndërsa tjetra i përket muajit prill të po këtij viti. Kjo e fundit krahas pagave, zbulon edhe numrat e celularëve të qytetarëve.
Një ditë më parë Prokuroria e Tiranës njoftoi nisjen e hetimeve për publikimin e dhënave për pagat e mbi 630 mijë shqiptarëve për “Shpërdorim detyre” dhe “Ndërhyrje në të dhënat kompjuterike”.
Grupi i hetimit ka kërkuar databazën origjinale për të bërë krahasime, ndërsa u kryen veprime hetimore pranë Drejtorisë së Tatimeve, AKSHI-t dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore ku u sekuestruan serverat e të dhënave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.