Drejtësia

Skandali i pagave, merren në pyetje punonjësit e AKSHI-t dhe ekspertët e IT

Prokuroria e Tiranës ka marrë në pyetje disa ekspertë të IT në Drejtorinë e Tatimeve dhe Institutin e Sigurimeve Shoqërore për të zbuluar se kush fshihet pas skandalit të publikimit të pagave të rreth 630 mijë qytetarëve që po bëjnë xhiron në rrjete sociale.

Ndërkohë, drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj në një dalje për mediat, pas hetimeve për mashtrimet kibernetike, u pyet edhe për çështjen e publikimit të pagave,.

Ajo deklaroi se po vijojnë hetimet dhe tha se grupi hetimor është i përkushtuar dhe se "do të ketë autorë që do të shkojnë para drejtësisë. Do keni një përgjigje sepse përgjigja e prokurorëve nuk është me konferenca për shtyp por me vendimmarrje”, tha Imeraj.

Sipas informacioneve paraprake, deri më tani janë pyetur 14 ekspertë IT, të cilët kanë pasur akses në serverin e pagave të qytetarëve. Gjithashtu, në pyetje nga organi i akuzës janë marrë edhe ekspertë në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

Fillimisht po pyeten punonjësit e nivelit të ulët dhe të mesëm, e më pas do të vijohet me drejtuesit. Ndërkohë, përveç pyetjes së ekspertëve, Prokuroria po kryen ekspertim edhe te kompjuterët e specialistëve të Tatimeve.

Vetëm 24 orë pas skandalit, prokuroria është vënë në lëvizje dhe ka nisur investigimet, duke kërkuar të dhëna  të disa servera.

Një ditë më parë, prokuroria ka njoftuar se është në kërkim të  gjithë informacionit për lëvizjet që janë bërë në sistemin e përdorur dhe gjurmët që janë lënë aty.

Hetimet e nisura, bazohen në akuzat për shpërdorim detyre, ndërhyrje në të dhënat kompjuterike dhe në sistemet kompjuterike nga persona ende të panjohur.

Kryeministri Edi Rama u kërkoi ndjesë qytetarëve për shqetësimin e krijuar nga publikimi i të dhënave personale, por theksoi se hetimet dhe investimet në zhvillimin e këtij sektori do të jenë të pandalshme, ndaj atyre që me këtë akt synojnë të sjellin konfuzion dhe destabilitet.

Opozita fajësoi Partinë Socialiste dhe qeverinë e saj si “shpërdorues të këtyre të dhënave për qëllime elektorale”, siç bëri edhe “në fillim të vitit me patronazhistët” gjatë zgjedhjeve të përgjithshme.

Të dhënat financiare të mbi 630 mijë qytetarëve, qarkullojnë lirisht prej dy ditësh përmes aplikacionit 'Whatsapp' dhe po ashtu, të enjten doli një listë e shtuar deri në 690 mijë punonjës, ndërsa qeveria deklaroi se nuk ka ndodhur eksport dixhital i bazës së të dhënave.

Materialet përmbajnë të dhëna personale, vlerën monetare të pagës mujore bruto, numrin e kartës së identitetit, numrin e identifikimit të shoqërisë ku janë punësuar ata, përfshirë dhe pozicionin e punës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë