Shendet

Pas shumë vitesh, një vend afrikan shpallet pa malarie

Kape Verde mori statusin e vendit pa malarie nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) pasi nuk ka raportuar asnjë rast të vetëm të transmetimit lokal në tre vjet.

Ekspertët e kanë cilësuar këtë si një arritje të madhe.

Malaria është një vrasës i madh në kontinent. Në vitin 2022, 580,000 njerëz në Afrikë vdiqën nga sëmundja, duke arritur në 95% të vdekjeve në mbarë botën.

Sëmundja shkaktohet nga një parazit kompleks i cili përhapet nga pickimi i mushkonjave.

Vaksinat po përdoren tani në disa vende, por monitorimi i sëmundjes dhe shmangia e pickimit të mushkonjave janë mënyrat më efektive për të parandaluar malarian.

Kape Verde, një ishull i vogël në brigjet e Afrikës Perëndimore, iu deshën vite për të arritur këtë pikë duke forcuar sistemet shëndetësore dhe duke rritur aksesin në diagnostikimin dhe trajtimin e të gjitha rasteve.

Oficerët e mbikëqyrjes kanë zbuluar herët rastet, si dhe kanë kontrolluar mushkonjat.

Plani i Kape Verde për kontrollin e malaries ka siguruar gjithashtu kujdes dhe shërbime diagnostike falas për udhëtarët dhe emigrantët ndërkombëtarë, me qëllimin për të frenuar valën e rasteve të importuara nga Afrika kontinentale.

"Ky sukses pasqyron punën e palodhur dhe përkushtimin e profesionistëve të panumërt të shëndetësisë, bashkëpunëtorëve, komuniteteve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Është një dëshmi e asaj që mund të arrihet përmes angazhimit kolektiv për përmirësimin e shëndetit publik," i tha BBC-së ministrja e Shëndetësisë e Kape Verde, Filomena Gonçalves.

Dorothy Achu Fosah, nga zyra e OBSH-së në Afrikë, shtoi se ishte "e emocionuar dhe e kënaqur" me rezultatet dhe faktin që malaria u "përzu nga vendi".

Ekspertët e shëndetësisë thonë se arritja e këtij ishulli përbën një shembull të madh për vendet e tjera të vogla në kontinent, duke treguar se politikat e kontrollit dhe eliminimit mund të funksionojnë.

Malaria dikur u zbulua në të nëntë ishujt e banuar të Kape Verde, por vitet e fundit mund të gjendej vetëm në një, Sáo Tiago, ku u përqendruan përpjekjet përfundimtare.

Në vendet e prekura keq si Nigeria, Tanzania dhe Republika Demokratike e Kongos, ka një popullsi shumë të lëvizshme që kalon rregullisht kufijtë, duke e bërë të vështirë për një vend që të çrrënjosë sëmundjen vetë.

Suksesi i Kape Verde "na jep shpresë se me mjetet ekzistuese, si dhe ato të reja duke përfshirë vaksinat, ne mund të guxojmë të ëndërrojmë për një botë pa malarie", tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Vendi i fundit në Afrikën Sub-Sahariane që u shpall pa malarie ishte ishulli i Mauritius në 1973. Algjeria, në Afrikën e Veriut, e arriti këtë status në vitin 2019.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë