Analize

Pas Shkupit, Greqia kërcënon Shqipërinë me hyrjen në BE

Me një deklaratë të fortë, larg toneve diplomatike, Presidenti grek, Prokopis Pavlopulos, “kërcënoi” Shqipërinë me anëtarësimin në BE dhe akuzoi çamët për mbështetjen e nazistëve, për të cilën sipas tij shqiptarët duhet ta pranojnë të vërtetën historike.

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Malin e Zi, e cila përkonte edhe me një vizitë e Ministrit në Detyrë, Gent Cakaj në Podgoricë, Prokopios Pavlopoulos i ka dërguar një tjetër mesazh Shqipërisë në lidhje me integrimin europian. Sipas presidentit te vendit fqinj, Greqia nuk është kundër integrimit të Shqipërisë në BE, por sipas tij mosrespektimi i minoritetit grek dhe pretendimet për çamët, përbëjnë dy pengesa të pakapërcyeshme për Tiranën zyrtar.

Megjithëse politika e jashtme zyrtare e Athinës ka qenë pro zgjerimit, Greqia ka rezultuar të jetë një pengesë e madhe për vendet fqinje, ku pas Maqedonisë së Veriut, duket se tanimë ‘radhën’ e ka Shqipëria. Edhe pse shumë ekspertë menduan se Marrëveshja e Prespës do t’i jepte fund presionit të Greqisë ndaj anëtarësimit të vendeve fqinje, Presidenti grek paralajmëroi jo vetëm Shqipërinë, por edhe Turqinë, duke thënë se nëse Ankaraja dhe Tirana duan një perspektivë europiane duhet të respektojnë kuadrot ligjore europiane dhe ligjet ndërkombëtare.

Madje, Pavlopoulos nuk ka nguruar t’i konsiderojë çamët si ‘bashkëpunëtorë të pamëshirshëm të nazistëve’. “Një tjetër pengesë lidhet me çdo pretendim të të drejtave të të ashtuquajturve çamë shqiptarë, të cilët kanë qenë bashkëpunëtorë të pamëshirshëm të nazistëve, siç e ka vërtetuar historia”, ka thënë ai.

Presidenti Prokopis Pavlopulos dhe presidenti Ilir Meta

Edhe pse një nga deklaratat më të ashpra, kjo nuk është herë e parë që Pavlopulos paralajmëron Shqipërinë se nëse dëshiron mbështetjen e Greqisë për të vazhduar rrugën e integrimit europian, duhet të pranojë të ‘vërtetën’ rreth çamëve.

Në një tjetër deklaratë gjatë një ceremonie përkujtimore në Paramithia, Presidenti grek akuzoi disa muaj më parë çamët se iu bashkuan nazizmit në operacionet e ushtrisë gjermane, më 29 shtator të vitit 1943, edhe pse në fakt faktet historikë flasin vetëm për masakrat e ushtrisë greke ndaj tyre.

Deklarata presidentit grek në Mal të Zi vjen në një kohë kur Shqipëria dhe Greqia janë gati të hyjnë në fazën përfundimtare të dialogut që pritet të zgjidhë një sërë mosmarrëveshjesh midis dy vendeve, përfshirë edhe çështjen e çamëve apo atë të kufirit detar. Gazeta Si është interesuar prej më shumë se një muaji pranë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme mbi vazhdimësinë dhe ritmet me të cilat po ecin negociatat me Athinën zyrtare, por deri më tani, këto pyetje kanë mbetur pa përgjigje, duke mbajtur të ulur perden e misterit që ka rrethuar këto bisedime. Ndërkohë që deklaratat e Greqisë për veton ndaj anëtarësimit europian të Shqipërisë janë bërë gjithnjë e më të shpeshta, nga Tirana zyrtare nuk ka ende asnjë reagim në lidhje me to.

Ish-ministrat Ditmir Bushati dhe Niko Kotzias

E vetmja gjë që dihet zyrtarisht është se pala greke ka rënë dakord për arritjen e marrëveshjeje për kufirit detar, ligjin e luftës, njohjen e patentave, përmbajtjen e teksteve shkollore apo bashkëpunimin kufitar por nuk pranon që të diskutojë çështjen Çame , të të cilët u dëbuan me forcë nga shtëpitë e tyre nga autoritetet greke pas Luftës së Dytë Botërore. (Qeveria greke konfiskoi pronat e tyre dhe shpjegimi që dha ishte se çamët kishin bashkëpunuar me nazistët). Por gjatë takimit me homologen e tij, kroate presidenti grek theksoi në shkurt të këtij viti se është Shqipëria ajo që duhet të plotësojnë detyrimet europiane për ligjin e pronës.

"Nëse ata duhet të kenë perspektivë europiane duhet të plotësojnë detyrimet që shtrohen nga legjislacioni europian. E drejta e pronës përbën një pengesë të pakapërcyeshme për integrimin evropian të Shqipërisë" deklaroi Prokopios Pavloulos

Nga ana tjetër, kryeministri Alexis Tsipras dhe ish-ministri i Jashtëm, Niko Kotzias kanë theksuar vazhdimisht se Greqia është përkrahësja më e madhe e integrimit të Shqipërisë në BE, por ky qëndrim duket se nuk është në një vijë politike as me presidencën dhe as me opozitën greke. Mes Athinës dhe Tiranës zyrtare vitin e kaluar ka pasur disa herë përplasje me deklarata në lidhje me të drejtat e minoritetit grek.

Shqiptarët e Çamërisë gjatë viteve 1941

Mesazhet e Greqisë u bënë më të qarta pas tensioneve në Himarë ku Këshilli Bashkiak miratoi dy vite më parë mes kundërshtive të Athinës planin e ri urbanistik. Presidenit Pavlopulos lëshoi një mesazh të qartë për Tiranën në një darkë me Presidentin francez Emnanuel Macron, duke thënë se “qëndrimet irredentiste dhe shkeljen e të drejtave të minoritetit dëmtojnë rrugën europiane të Shqipërisë”. Pak para këtij paralajmërimi në samitin e Ministrave të Jashtëm të BE-së, ish-ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias u kishte bërë të qartë homologëve europianë “veton” greke ndaj hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë për shkak të problemeve me respektimin e të drejtave të pronësisë për pakicën greke.

Këto mosmarrëveshje, por edhe retorika e ashpër e partisë neo-nazite Agimi i Artë bënë që në një sondazh të realizuar nga “AIIS 2013” në Shqipëri vite më parë, një e pesta e shqiptarëve ta konsideronin Greqinë si kërcënimin më të madh për vendin. Ndërkohë, një sondazh tjetër i kryer Fondacioni Helen për Politikën e Jashtme dhe Europiane zbuloi se se pothuajse gjysma e qytetarëve grekë e perceptojnë emigracionin dhe ekspansionizmin shqiptar dhe pakicën greke në Shqipëri si çështjet më të nxehta të politikës së jashtme.

Ligji i luftës qëndron gjithashtu si një çështje e shumë diskutuar në debatin publik shqiptar kur bëhet fjalë për qëndrimet e Greqisë ndaj Shqipërisë. Një çështje sa burokratike aq edhe simbolike të paktën për shqiptarët, ligji i luftës u hoq zyrtarisht nga qeveria greke në vitin 1987, megjithatë ai asnjëherë nuk u shfuqizua nga parlamenti grek.

Sipas politologut Koço Danaj nëse Greqia heq ligjin e luftës, shqiptarët të marrin të drejtën e tyre për trojet, duke detyruar Athinën të pranojë edhe një mijë e një padrejtësia që i ka bërë kombit shqiptar. Dhe ky është pikërisht “kyci” që mban mbyllur negociatat mes dy vendeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë