Atletike

Pas një viti Olimpiada e Tokios, vetëm vaksina largon dyshimet

"Nëse situata mbetet kështu siç është tani, organizimi i Lojërave Olimpike do të jetë i pamundur edhe në 2021-shin”. Janë fjalët e Joshiro Morit, presidentit të komitetit organizator të Olimpiadës së Tokios. Janë fjalë që ngrenë dyshime të forta, edhe pse duhet edhe një vit kohë (23 korrik-8 gusht 2021).

Në çdo rast, ceremonia e hapjes së Olimpiadës do të jetë e reduktuar, një çerek ore dhe menjëherë garat në stadiumin e ri olimpik, që do të jetë i hapur vetëm për ndonjë të akredituar. Ceremonia është parashikuar të shoqërohet me një sërë iniciativash virtuale në kanalet e rrjeteve sociale të CIO-s, me video-mesazhe dhe çat me disa yje, me në krye gjimnastët Kohei Uçimura dhe Simon Bajls. Kuptohet, në qendër do të jetë flaka olimpike.

Gjithsesi, është e qartë se vendimi historik për shtyrjen e Lojërave Olimpike për një vit, nuk mjafton. Pandemia e Covid-19 në botë ka kaluar, por shumë paqartësi ka ende. "Gjithçka varet nga mundësia e mposhtjes së virusit nga njerëzit, - ka theksuar Mori. – Çelësi është zbulimi i vaksinës, kjo është garancia".

Joshiro Mori, presidenti i komitetit organizator të Olimpiadës së Tokios. Gazeta Si, 23 korrik 2020

Do të jetë një kompeticion i privuar nga shumë gjëra, nga publiku mbi të gjitha. Një periudhë karantine pas mbërritjes në Japoni dhe ceremonitë e hapjes dhe mbylljes me pjesëmarrje të cunguar. E sigurt është se një shtyrje e dytë e Olmipiadës është e pamundur, por askush nuk mund ta thotë me siguri se Lojërat do të zhvillohen normalisht. CIO është munduar të ndihmojë organizatorët, komitetet olimpike kombëtare dhe federatat ndërkombëtare, duke dhënë një hua prej 800 milionë eurosh. Do të ketë ndërhyrje për reduktimin e kostove, por ende nuk është specifikuar se ku. Rreth 65% e sponsorëve, sipas një sondazhi, nuk kanë vendosur nëse do të jenë aktivë në këtë kompeticion apo jo.

Po ashtu, në një sondazh të fundit, shumica e qytetarëve japonezë mendojnë se Lojërat Olimpike nuk duhen organizuar. Vetëm 25% e të intervistuarve janë përgjigjur pozitivisht. Frika është se ardhja e shumë të huajve nga vende të ndryshme të botës mund ta bëjë Japoninë një terren të përshtatshëm për përhapjen e pandemisë. Javët e fundit, pikërisht në Tokio (14 milionë rezidentë), ka pasur një rritje të numrit të të infektuarve, me një mesatare prej më shumë se 200 rastesh në ditë. Guvernatorja Juriko Koike, për këtë fundjavë ka paralajmëruar: "U kërkoj banorëve që të evitojnë sa të mundin daljet nga shtëpia".

Logo e Lojërave Olimpike të Tokios. Gazeta Si, 23 korrik 2020

Një tjetër temë e nxehtë aktualisht, që rrezikon të ketë pasoja në organizimin e Lojërave, është ajo e abuzimit me të rinjtë në sportin japonez. Një raport i fundit i “Human Right Watch”, organizatë joqeveritare ndërkombëtare që kujdeset për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, tregon se si trajnerë të ndryshëm përdorin metoda të papërshtatshme pune, ndëshkime me grushte, shkelma dhe dhunë verbale, dieta të ekzagjeruara dhe nuk marrin në konsideratë dëmtimet. Janë më shumë se 800 sportistë, edhe ish-olimpistë të përfshirë, nga 50 disiplina të ndryshme, që kanë treguar vuajtjet e tyre.

CIO është shumë vigjilente në këtë pjesë, ashtu si dhe për Lojërat Dimërore Pekin 2022. Ka pasur denoncime të rënda, siç është rasti i Shuran Ju, patinatores artistike kineze që mori pjesë në Botërorin e Helsinkit 2017, duke përfaqësuar Singaporin.
Burimi: Gazzetta dello Sport/ Përktheu: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë