Ekonomi

Pas ndryshimeve në ligj, bie importi i makinave të përdorura

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor raporton se gjatë 8-mujorit të parë të këtij viti në territorin shqiptar janë futur 13 mijë automjete të vjetra më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Ky fenomen shihet pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve që iu bënë ligjit për importin e automjeteve të përdorura.

Qeveria e shpjegoi vendimin e saj për këtë çështje me mbrojtjen e mjedisit. Pritej që ndryshimet në ligj të sillnin një rinovim të flotës së automjeteve në qarkullim, e rrjedhimisht të ndikonin në pastrimin e ajrit nga ndotja.

Sipas ndryshimeve në ligj, automjetet e përdorura që do të futen në territorin e Shqipërisë duhet të përmbushin kushtet teknike mbi Euro 4. Kurse automjetet me kilometrazh 0 duhet të përmbushin kushtet Euro 5 dhe Euro 6.

Tregtarëve të automjeteve u është lënë afat deri në datën 31 dhjetor 2019 që të zhdoganojnë të gjitha automjetet që kanë hyrë në territorin shqiptar deri në dhjetor 2018, pavarësisht vitit të prodhimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë