Pas Besnik Mustafajt dhe Genc Rulit, në Partinë Demokratike rikthehet edhe ish deputeti Mark Marku. Kryesia e Partisë Demokratike i emëroi ata të tre, bashkë me Bujar Nishanin dhe një pedagoge, Enriketa Papa, si anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve për deputetë të propozuar nga anëtarësia.
Bujar Nishani është Kryetar i Këshillit Kombëtar të PD, ish-President i Republikës, ish-ministër dhe ish-deputet.
Besnik Mustafaj, themelues i PD, ish-ministër, ish-deputet, diplomat, përkthyes dhe shkrimtar i njohur.
Genc Ruli, themelues i PD, ish-ministër, ish-deputet, ekonomist dhe pedagog i njohur.
Enriketa Papa, pedagoge në Universitetin e Tiranës, historiane, shkrimtare dhe studiuese. Master në Histori dhe PhD në Histori Bashkëkohore dhe Histori të Evropës Jug-Lindore në Universitetin e Graz në Austri. Aktualisht është edhe anëtare e Bordit të Institutit për Studime të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit.
Mark Marku, analist, pedagog në Universitetin e Tiranës, në Departamentin e Gazetarisë. Master në Institutin e Marrëdhënieve Publike dhe të Komunikimit (IRCOM), Anger, Francë dhe doktoraturën në shkencat e informacionit dhe komunikimit në Universitetin Paris 2, Francë. Ish-deputet i PD.
Ky është prezantimi që PD i bën 5 anëtarëve të Komisionit.
Por ata nuk do të jenë të vetëm. Do të ndihmohet nga Sekretariati i përbërë nga Sahit Dollapi, Sekretar Organizativ dhe Ervin Minarolli, Sekretar i Burimeve Njerëzore.
Komisioni i Vlerësimit do të bëjë seleksionimin e kandidatëve të propozuar për deputetë, mbi 2000 të propozuar nga baza. Komisioni do të bëjë vlerësimin e çdo kandidati, nëse përmbush apo jo kriteret e parashikuara me detaje në udhëzimin për funksionimin e procesit. “Korpusi i njerëzve me influencë, me mbështetje, me aftësi në fusha të ndryshme, që do të përzgjidhen nga Komisioni, do t’i shkojnë më pas për votim anëtarësisë së Partisë Demokratike”, njofton selia blu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.