Futboll

Pas largimit nga Junajtid, Murinjo gjen punë të re

Pas largimit nga drejtimi i Mançester Junajtid, një jetë e re ka filluar për Murinjon. Kjo jetë e re për portugezin do të thotë njëkohësisht edhe punë e re. “Special One” ka pranuar ofertën e kanalit televiziv, beIN sports për t’u bërë komentator i ndeshjeve.
Sipas shtypit britanik, Murinjo është kontraktuar nga beIN për të komentuar ndeshjet e të gjitha kompeticioneve, por fokusi i veçantë do të jetë tek ato të Premier Ligës. Pagesa që portugezi do të marrë në këtë punë të re do të jetë goxha e majme. Bëhet fjalë për 67 mijë euro për një ndeshje që do të shkojnë në llogarinë e trajnerit nga Portugalia.

Paga është nga më të lartat sa i përket shtresës së komentatorëve, por e pakrahasueshme me atë që Murinjo merrte si trajner i Mançester Junajtid, ku përfitonte deri në 16 milionë euro bashkë me reklamat. “Special One” do e nis punën e tij të re mbrëmjen e kësaj të mërkure, duke komentuar ndeshjen Milan-Juventus, e vlefshme për Superkupën e Italisë.
Kontrata e re e Murinjos me beIN është goxha e lartë, por ka një klauzolë të veçantë. Trajneri portugez nuk do mund të flasë për Mançester Junajtid në komentimin e tij, të paktën deri sa të vazhdojë të paguhet nga klubi anglez, që dy muaj më parë e shkarkoi nga drejtimi i ekipit.

Kjo kontratë e re e Murinjos me gjigandin televiziv beIN do të jetë të paktën deri në fund të këtij sezoni. Më pas do të kuptohet se çfarë do të ndodhë me portugezin nëse do të vijojë të jetë komentator, apo do të rikthehet të trajnojë ekipe. Pas largimit nga “djajtë e kuq”, Murinjo është përfolur për të t’u rikthyer te Inter në Serinë A apo edhe te Real Madrid, por deri më tani të gjitha këto kanë mbetur në kuadrin e thashethemeve mediatike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë