Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi të enjten se nuk ndihet i rrezikuar, por tha se janë organet e sigurisë ato që i vlerësojnë kërcënimet dhe i ndërmarrin veprimet në përputhje me rrethanat e caktuara.
“Janë mekanizmat e shtetit që i bëjnë vlerësimet kur ngjajnë kërcënime nëpër rrjete sociale, të cilat unë nuk kam mundësi t’i ndjek”, tha Kurti në një konferencë për media në Prishtinë, pasi u pyet nga gazetarët se a ndihet i kërcënuar dhe nga kush.
“As dje e as sot nuk e kam ndryshuar agjendën time”, shtoi ai.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i ka thënë Radios Evropa e Lirë të mërkurën se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është kërcënuar, por nuk ka dhënë më shumë detaje.
Për këtë arsye, ka shtuar ai, si masë e kujdesit të shtuar është rritur edhe niveli i tij i sigurisë.
Mediat lokale në Kosovë kanë raportuar të mërkurën në mbrëmje se afër shtëpisë së Kurtit në Prishtinë është vërejtur prani më e shtuar e Policisë së Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka thënë se nuk ka mundësi të ofrojë informacione për këtë rast.
Kërcënimi është bërë përmes rrjeteve sociale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.