Kosova

Pas kërcënimeve me jetë, reagon Sveçla: Ndihem i sigurt. Armiqtë do të japin llogari para ligjit

Nga Gazeta 'Si' - Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka komentuar kërcënimet me jetë që i janë bërë nga organizata terroriste “Severna Brigada”.

Ai tha se nuk ndihet aspak i rrezikuar dhe kjo falë Policisë së Kosovës.

Duke folur në ekspozitën e njësive dhe pajisjeve të policisë në sheshet “Skënderbeu” dhe “Ibrahim Rugova”, me rastin e 24-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, Sveçla shtoi se armiqtë do të përfundojnë para ligjit për të dhënë llogarinë.

“Unë ndihem jashtëzakonisht i sigurt, falë Policisë së Kosovës dhe profesionalizimit të tyre, pra, sukseset e PK-së, ajo që na garanton që qytetarët të kenë jetë të qetë, e institucionet të punojnë të sigurta. Patjetër, se në luftën tonë për drejtësi, për rend dhe ligj, gjithmonë do të ketë armiq të kësaj lufte, të cilët në një mënyrë apo tjetër do të godasin institucionet e Kosovës. Mos të harrojmë se edhe vetë PK-ja ka policë të rënë në detyrë, të cilët nuk janë në mesin tonë për të festuar, por janë familjaret e tyre, të cilëve ua uroj ditën e Policisë. Punët vazhdojnë, armiqtë tanë do të përfundojnë gjithmonë duke dhënë llogari para ligjit”, tha ai.

Profili i organizatës “Severna Brigada” ka kërcënuar ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ku shkruanin “Unë personalisht do të të dënoj (likuidoj), vetëm momenti pritet”.

E njëjta organizatë kërcënoi sot edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë