Kombetarja

Pas humbjes në Turqi, Reja: Dua të vazhdoj me Shqipërinë

Pas humbjes së pamerituar ndaj Turqisë, trajneri Edi Reja u shpreh në konferencë për shtyp se dëshiron të vazhdojë me Shqipërinë, ndërkohë që nuk ka nënvlerësuar aspak kundërshtarin e radhës, Moldavinë. Në daljen e tij, Reja pranoi shqetësimin në grup. “Ishim pak nervozë pas ndeshjes me Turqinë. Më shumë për rezultatin se sa për ndeshjen. E rëndësishme është që të mbajmë këtë intensitet. Rezultatet do vijnë. Kemi nevojë që të vijojmë edhe me rezultatet, jo vetëm me lojën”, tha Reja.
Ai foli edhe për ndryshime në formacion me Moldavinë. “Më duhet akoma pak më shumë kohë për 11-shen titullarë. Nuk mendoj se do bëj ndërrime domethënëse, do bëj pak ndërrime. Nëse i kam të gjithë në formën optimale, nuk do lëviz shumë. Do vendosim nesër. Dua të shoh këtë vazhdimësi për ndeshjen me Moldavinë”, tha Reja. Trajneri u shpreh se “Skuadrat e mia nuk nënvlerësojnë asnjë kundërshtar. Moldavia është një ekip i mirë. Edhe në Elbasan na vuri në vështirësi. Luajnë topin mirë. Do futemi me të njëjtën vendosmëri në fushë për të bërë maksimumin. Edhe Moldavia mund të na vërë në vështirësi”.
Reja pranoi se të luash në Moldavi nuk është e thjeshtë. “Ndeshjen e parë na vunë në vështirësi. Shënuam vetëm në fund. Ne do studiojmë si do vendosen në fushë ata, dhe do i përgjigjemi më pas”, tha ai.
"Të përballem me një eksperiencë si e imja, normale që është e vështirë. Edhe trajneri kundërshtar do na ketë studiuar, dhe do na ketë ngritur ndonjë grackë. Me rëndësi është që të mos biem në grackë. Nëse jemi këtu në këto pozicione, do të thotë se jemi duke bërë mirë, sepse përndryshe nuk do interesohej kush për ne. Objektivi ynë është vendi i dytë, do luftojmë cdo ndeshje për pikët maksimale. Ai mbetet objektivi ynë primar”, tha Reja.
Rezultati negativ sjell gjithnjë në vëmendje edhe vazhdimësinë e një trajneri, por Reja u shpreh i bindur kur u shpreh se “do t’i pëlqente të vazhdonte punën me Shqipërinë”. “Por duhet të mbyllim këtë cikël tani. Duhet të studiojmë si shkuan gjërat në këto eliminatore, të shohim dhe pikët. Është një pyetje ku duhet të përfshihet edhe presidenti. Do isha i lumtur për të vazhduar me Shqipërinë. Skuadra më jep stimul dhe përgjigje pozitive. Do doja të vazhdonim këtë rritje dhe vazhdimësi, për të parë se deri kur do arrijmë me këtë ecuri”, tha ai.

https://www.youtube.com/watch?time_continue=4&v=WIJN-Mk2nn0

Në prag të sfidës së nesërme, së bashku me trajnerin Reja në konferencë për shtyp ka dalë edhe kapiteni Ledian Memushaj. Mesfushori tha se skuadra duhet ta harrojë humbjen ndaj Turqisë dhe të mendojë vetëm për ndeshjen e nesërme.
“Normale që ndeshja me Turqinë na ka zhgënjyer shumë, por besoj se duhet ta harrojmë sa më shpejt sepse nesër kemi një ndeshje tjetër të rëndësishme dhe do ta përgatisim sa më mirë. Duhet të rikuperohemi shpejt pasi kemi një ndeshje të rëndësishme. Duhet ta harrojmë shpejt ndeshjen me Turqinë”, tha Memushaj.
Kapiteni ka folur edhe për pjesën taktike dhe pjekurinë që ka momentalisht ekipi. “Duhet të përmirësohemi si ekip, me Turqinë treguam se nga ana taktike jemi përmirësuar shumë, dhe këtë duhet ta tregojmë edhe nesër. Këto janë nga ato ndeshje që janë shumë të vështira nga njëra anë, por nga ana tjetër tregojnë sa është pjekur ky ekip. Në fazën ofenzive nuk është vetëm puna e sulmuesve, por duhet të punojmë të gjithë shumë”, tha Memushaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë