Kombetarja

Pas Europës, FSHF shkon edhe në SHBA për të zbuluar talente kuqezi

Gazeta Si – Në kuadrin e vëzhgimit të talenteve kuqezi nëpër botë, Federata Shqiptare e Futbollit do të bëjë një seleksion në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Seleksionimi do të zhvillohet në muajin maj, me qëllim testimin e lojtarëve të rinj të talentuar që jetojnë përtej oqeanit.

Pas seleksionimeve të kryera në vende të ndryshme të Europës, ku jetojnë më shumë familje shqiptare, FSHF ka menduar të bëjë për herë të parë të njëjtën gjë edhe në SHBA. Sipas njoftimit të FSHF-së, në seleksionim do të përfshihen lojtarë të vitlindjeve 2005, 2006, 2007, 2008 dhe 2009.

Seleksionimi përfshin edhe futbollistet vajza dhe në këtë rast nuk ka kufizim moshe. Në SHBA ka një komunitet shqiptar gjithmonë në rritje dhe shpresat janë për të gjetur elementë, të cilët në të ardhmen mund t’i shërbejnë fanellës kuqezi.

Do të jetë një grup specialistësh nga stafet e ekipeve kombëtare të moshave që do të monitorojnë procesin dhe në fund do të marrin vendimet përkatëse.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë