Drejtësia

Pas dy vitesh ndërprerje, mbahet seanca e parë e Gjykatës Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese do të zhvillojë ditën e nesërme seancën e saj të parë në orën 10:00, pas dy vitesh ndërprerje për shkak të “shkrirjes” së saj nga vetingu.

Mësohet se në rendin e ditës së nesërme çështja e parë që do të shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese është kërkesa nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila kërkon “shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të togfjalëshit ‘nga Gjykata e Shkallës së Parë, që ka dhënë vendimin në dhomën e këshillimit’, parashikuar në pikën 1 të nenit 453 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe togfjalëshit ‘… i së njëjtës gjykatë’, parashikuar në pikën 3 të nenit 453 të Kodit të Procedurës Penale, të ndryshuar me ligjin nr. 35/ 2017″.

Për seancën tjetër bëhet fjalë për Durim Sufkën, një shtetas që i janë shkelur të drejtat. Kjo seancë do jetë më 11 shkurt, ndërsa në 4 shkurt do jetë seanca e shoqatës kombëtare pronësi dhe drejtësi.

Janë 25 çështje të bëra gati, që do të shqyrtohen nga gjashtë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. 32 të tjera presin për mbledhjen e gjyqtarëve, më e rëndësishmja e të cilave është padia e shoqatës së bashkive, që kërkojnë shpalljen si antikushtetuese të zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, të cilat në atë kohë u kthyen në një front grindjesh politike. Gjyqtarët kushtetues do të testohen edhe me ankesa si ajo e kryeministrit kundër presidentit Ilir Meta, i cili pasi refuzoi të dekretonte Gent Cakajn si ministër të Jashtëm, u padit në Gjykatën Kushtetuese nga kreu i qeverisë, që kërkon zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencave dhe interpretim të nenit 1 të Kushtetutës. Dosje të nxehta e presin Kushtetuesen edhe për dy padi të presidentit Meta me emrin Teatri Kombëtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë