Treg

Pas bujqësisë, tkurret edhe peshkimi në Shqipëri, akuakultura mban tregutn

Nga Gazeta ‘Si’- Sasia e peshkut të zënë nga të gjitha kategoritë ujore në Shqipëri ka shënuar një rënie gjatë vitit të kaluar, duke reflektuar luhatje sipas sektorëve dhe rajoneve.

Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave, për vitin 2025 sasia totale e peshkimit arriti në 15.153 tonë, çka përfaqëson një tkurrje prej 7.9% krahasuar me një vit më parë, kur u regjistruan 16.452 tonë.

Në strukturën e përgjithshme të zënieve, peshën kryesore në treg e mban akuakultura, e cila përbën 43.2% të totalit me 6.549 tonë. Peshkimi detar përfaqëson 29.2% të sasisë së përgjithshme me 4.426 tonë, ndërsa ujërat e brendshme zënë një pjesë prej 19.8%, duke siguruar 3.007 tonë.

Në nivel vjetor, performanca sipas kategorive paraqitet e segmentuar, ku rritjen më të hovshme e kanë shënuar molusqet me një ekspansion prej 158,2%, duke u rritur nga 213 tonë në vitin 2024 në 550 tonë në vitin 2025. Në krahun tjetër, tendencë rënëse u vërejt në akuakulturë me minus 8,6%, në zonat bregdetare me një rënie prej 12.1%, si dhe në laguna ku peshkimi u tkurr me 8,2%.

Sa u përket llojeve të specieve të peshkuara në mjediset e hapura detare, bregdetare dhe në laguna, karkaleci i thellësisë udhëheq me 15.9% të volumit ose 802 tonë, i pasuar nga sardelet me 15.2% ose 765 tonë dhe merluci me 13.7%ose 693 tonë. Ndërkohë, në mjediset e ujërave të brendshme dominon karasi me 33.9% të peshkimit total të kësaj kategorie me 1.018 tonë, i ndjekur nga skorta me 23.6% apo 709 tonë dhe krapi me 18.2% apo 546 tonë.

 Sa i përket kapaciteteve operative, në vitin 2025 numri i subjekteve të licencuara për aktivitet peshkimi arriti në 854, duke shënuar një shtesë prej 21 operatorësh krahasuar me vitin paraprak.

Kjo flotë operon kryesisht në Nën-Zonën Gjeografike 18 në Adriatikun e Jugut, ku porti i Durrësit përqendron pjesën më të madhe të anijeve të licencuara me 36,3 për qind, i ndjekur nga Vlora me 30,6 për qind, Lushnje-Fieri me 2,1 për qind dhe Himara me 1,6 për qind.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë