Futboll

Partizani zyrtarizon afrimin e radhës, firmos edhe Duka

Dueli për titullin kampion nuk është vetëm në fushën e lojës, por edhe në merkato. Pasi Skënderbeu zyrtarizoi afrimin e Toskiç paraditen e kësaj të mërkure, ka ardhur kundërpërgjigja nga Partizani. “Klubi i kuq” ka njoftuar arritjen e marrëveshjes me mesfushorin Dilaver Duka.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Partizani përmes një njoftimi për mediet, ku shkruhet se pasi Duka kaloi testet është gjetur gjuha e përbashkët për të firmosur marrëveshjen.
Kontrata e firmosur e Dukës me Partizanin do të jetë e vlefshme për pjesën e mbetur të këtij sezoni futbollistik me opsion rinovimi edhe për vitin e ardhshëm. Mesfushori shqiptar gëzon një karrierë të suksesshme në kampionatin profesionist të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku ka qenë pjesë e ekipeve elitare New York Red Bulls dhe Chicago Fire. Duka do të provojë eksperiencën e parë në kampionatin tonë dhe do të mbajë në fanelë numrin 28.

Duka ishte një kërkese personale e trajnerit Skënder Gega që e njihte futbollistin që në Amerikë. Edhe pse nuk ishte në formën e tij optimale, Duka i bindur drejtuesit e Partizanit që të investojnë tek ai. Duka nuk pritet të jetë një zgjedhje e parë për Partizanin, por me eksperiencën e tij pritet të jetë një alternativë shumë e vlefshme për të bërë diferencën, kur të lindë nevoja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë