Futboll

Partizani vazhdon ngjitjen, Skënderbeu bën “harakiri” në Korçë

Janë mbyllur ndeshjet e javës së tretë të Superiores, që kanë dhuruar edhe surpriza, siç është humbja 0-3 e Skënderbeut në Korçë ndaj Bylisit, që nuk kishte asnjë pikë më parë. Kukësi nuk shkoi më shumë se barazimi me Laçin në “Loro Boriçi”, ndërsa Partizani vazhdon ngjitjen, pas fitores 1-0 ndaj Flamurtarit në kryeqytet. Të shtunën, Tirana fitoi 0-2 në Shkodër ndaj Vllaznisë, ndërsa Teuta mundi me lehtësi Luftëtarin.

E papritur ishte humbja e Skënderbeut në fushën e tij, edhe pse skuadra e trajnerit Ilir Daja ka pasur jo pak vështirësi në organizim para nisjes së kampionatit. Ishte një “harakiri” para tifozëve, pasi Skënderbeu u mund nga Bylisi i ngjitur nga Kategoria e Parë. Peposhi, Guindo dhe Hidi shënuan golat e ballshiotëve, i fundit me penallti. Partizani realizoi objektivin, duke fituar 1-0 ndaj Flamurtarit në krizë identiteti, por ndeshja u komplikua disi. Sulmuesi Solomon, pak pasi shënoi golin e fitores, u ndëshkua me karton të kuq për një faull të rëndë. Gjithsesi, të kuqtë ia dolën ta ruanin rezultatin dhe të merrnin 3 pikët e radhës. Ishte fitorja e dytë radhazi minimale, pas asaj me Luftëtarin në Gjirokastër, me gol të Telushit.

Nga ndeshja Skënderbeu-Bylis, 0-3. Gazeta Si, 1 shtator 2019

Kukësi dhe Laçi barazuan 1-1 në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Madje, skuadra e trajnerit Shpëtim Duro barazoi në fundin e ndeshjes me Mustën, pasi më parë Laçi kishte kaluar në avantazh. Për Laçin e Starovës ishte pika e parë, kurse Kukësi është ndalur pas dy fitoresh radhazi. Renditjen e kryeson Tirana me 7 pikë, po aq sa Kukësi, ndërsa Partizani dhe Skënderbeu kanë nga 6 pikë. Flamurtari dhe Luftëtari nuk kanë marrë ende pikën e parë në kampionat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë