Futboll

Partizani u lë targën rivalëve, trajneri Gega thumbon Gjicin

Telushi, Hila dhe Çinari kanë shënuar nga një gol në portën e Teutës për t’i dhënë 3 pikët Partizanit dhe për ta shkëputur atë 9 pikë nga vendi i dytë. Në lojë janë edhe shumë pikë, por kjo diferencë është e konsiderueshme dhe klubit të kuq i mbetet vetëm të administrojë në mënyrën e duhur javët e mbetura të kampionatit për të fitur titullin e munguar.

Partizani ka përsëritur ndeshjen e fazës së parë në “Selman Stërmasi”, duke fituar me të njëjtin rezultat, 3-0. Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë për të kuqtë, të cilët kishin edhe mbështetjen e tifozëve të tyre, të kthyer pas dënimit të Disiplinës. Telushi zhbllokoi shifrat pas 4 minutash me një goditje dënimi, ndërsa Asani fitoi një 11-metërsh, që u kthye në gol nga Ardit Hila, i rikthyer në formacion pasnjë mungesë disajavore për shkak dëmtimi. Shpresat e durrsakëve u mbyllën që në pjesën e parë dhe më pas Partizani e menaxhoi mjaft mirë ndeshjen, për të shënuar edhe golin e tretë me Erald Çinarin.

Të kuqtë festojnë golin e Bruno Telushit

Pas kësaj jave, skuadra e trajneri Gega kryeson bindshëm. Edhe pse humbi sulmuesit Hebaj dhe Bardhi para ndeshjes me Teutën, Partizani diti ta shfrytëzojë në mënyrën e duhur humbjen e Kukësit në Korçë të shtunën. Tani kampioanti ndërpritet për shkak të ndeshjesve të Kombëtares dhe skuadrat kanë më shumë kohë në dispozicion për të përgatitur sfidën e radhës.

Skënder Gega, trajner i Partizanit

“Fitore e rëndësishme. Kishim probleme para ndeshjes, sepse na u dëmtuan dy lojtarët e qendrës së sulmit, Hebaj dhe Bardhi. Falënderoj djemtë, të cilët mbështetën njëri-tjetrin në këtë ndeshje, ku çdo ndalesë e jona u jepte shpresë rivalëve dhe gojëve të këqija. Partizani ka stabilitet dhe është këtu, sepse të tjerët kanë ngecur. Patjetër që nuk jemi absolutë, por rëndësi kanë rezultatet. Nuk dua të flas për titullin deri në fund, por dua të them se në mars dh në fund të majit do t’i kemi këmbët të forta”, – ka theksuar pas ndeshjes trajneri i Partizanit, Skënder Gega, i cili ka thumbuar kështu presiodentin e Kukësit, Safet Gjici, pasi ky i fundit ka folur pak kohë më parë për të kuqtë, duke thënë se do t’u mbanin këmbët deri në mars. Gega nuk ka përmendur emër, por mesazhi është shumë i qartë.

 

Më Shumë