Futboll

Partizani prezanton italianin Lerda: T’i japim stil dhe imazh këtij ekipi!

Partizani nuk heq dorë nga italianët, edhe pse përvoja e viteve të fundit ka vërtetuar se suksesi arrihet me trajnerë shqiptarë dhe jo me të huaj. Franko Lerda është zgjedhur nga drejtuesit e klubit të kuq si pasues i Skënder Gegës. Italiani 51-vjeçar është prezantuar nga drejtori i përgjithshëm i klubit kryeqytetas, Olsi Rama, i cili ka theksuar se Lerda është njeriu i duhur për stolin e Partizanit:

“Mbyllëm një kampionat të suksesshëm dhe dua të falënderoj trajnerin Skënder Gega dhe stafin për kthimin e titullit pas 26 vitesh. Falënderoj edhe lojtarët, sigurisht. Tani nisim një histori të re. Pas largimit të Gegës për arsyet e tij, kërkuam trajner në Itali dhe më tej. Pamë tregun dhe profili që bindi më shumë, është Lerda, një trajner i ri që ka bërë mirë në karrierë, duke drejtuar ekipe si Leçe dhe Torino. Është trajner që vjen me bagazhin e duhur tekniko-taktik dhe duam që ai ta përmirësojë ekipin. Shpresojmë te jetë zgjedhja e duhur dhe sfida e parë është Championsi. Ekipin e kemi të plotësuar deri diku, afrimet do t’i bëjmë në Slloveni, ku do të kryhet faza përgatitore”, - u shpreh drejtori Rama.

Trajneri i ri i Partizanit, Franko Lerda, prezantohet nga drejtori Olsi Rama

Trajneri i ri i të kuqve, Lerda, u duk shumë entuziast për detyrën që ka marrë përsipër: "Më vjen mirë që jam në Shqipëri, afër Italisë. Ndihem krenar që do të jem pjesë e Partizanit, që e njihja si emër, sepse i ndjek kampionatet europiane. Objektivi i parë është të paraqitemi sa më mirë në Champions League, të krijojmë një mentalitet të ri, një stil të ri dhe një imazh të ri për këtë skuadër. Gjithçka bëhet me punën dhe idetë që do të përpiqem të fus te Partizani. Partizani është ekipi kampion dhe kjo më bën krenar. Duhet të përpiqemi ta ruajmë këtë pozicion. Çdo trajner ka mënyrën e vet të lojës, stilin e vet. Komplimentoj trajnerin që ishte te Partizani para meje, pasi ka kthyer titullin e munguar prej shumë vitesh klubit. Nuk mund të flas për trajnerët e tjerë italianë, që kanë drejtuar në Shqipëri. E thashë, secili ka metodat e veta të punës dhe të përgatitjes së ndeshjeve.

Asgjë nuk është e lehtë, por projekti i drejtuesve të Partizanit është ambicioz. Edhe unë jam ambicioz. Kemi kohë dhe do të kem mundësi të kaloj pengesat që mund të kenë hasur paraardhësit e mi. Kam punuar në Itali edhe me futbollistë shqiptarë, Memushaj dhe Çanin. I njoh mirë. E rëndësishme është përgatitja e ekipit në fushë, përgatitja mendore dhe strategjia për të arritur atë që do. Për merkaton di të them se janë disa lojtarë, të cilët do të vijnë te Partizani. Nuk kam kërkuar asnjë lojtar të veçantë, kam besim tek Olsi (Rama). Nuk frikësohem nga asgjë, bëj punën time dhe nuk shoh arsye për të pasur frikë. Jam optimist se do bëjmë gjëra të mira me Partizanin. Të gjithë kundërshtarët në Champions janë të vështirë, por ka edhe të kalueshëm”, - theksoi mes të tjerash gjatë prezantimit trajneri i ri i Partizanit, Franko Lerda.

Franko Lerda, kur drejtonte Viçencën

Kush është Franko Lerda?
Trajneri i ri i Partizanit, Franko Lerda, ka lindur në Fosano, në Itali. Është 51 vjeç dhe ka një profil mesatar si trajner. Në fillimet e karrierës ka drejtuar skuadra të kategorive inferiore si Saluco dhe Kazale, ndërsa në vitin 2010 ka ngjitur shkallët, duke marrë drejtimin e Krotones, Torinios, Leçes dhe në fund të Viçencës. Që nga maji i vitit të kaluar, nuk ka drejtuar asnjë skuadër dhe kuptohet që përvoja më e vlefshme e italianit është sezonin që ka drejtuar Torinon. Drejtuesit e Partizanit e shohin si trajnerin e duhur për të pasuar Gegën, por dilema që mbetet është ajo e përhershmja: a do të arrijë Lerda të përshtatet me futbollin shqiptar. Ai do të ketë fatin ta drejtojë këtë skuadër në Champions League, ku ka shansin të tregojë se është njeriu i duhur për të kuqtë. Si futbollist ka qenë sulmues dhe kulmin e karrierës e ka me fanellat e Breshias, Torinos dhe Napolit, por më shumë gola ka realizuar me ekipet e Kuneos dhe Çezenës. Partizanin e kanë drejtuar më parë edhe trajnerë të tjerë italianë si Ticiano Gori, Andrea Agostineli dhe Mark Iuliano.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë