Futboll

Partizani prezanton afrimin e mesfushorit, negociata me dy sulmues

Partizani po vepron me ngadalësi dhe shumë kujdes në këtë merkato vere. Pas disa largimeve të lojtarëve që fituan titullin kampion, por ishin pjesë e projektit të ri, Partizani ka bërë dy afrime. Këtë të shtunë është bërë zyrtar edhe afrimi i tretë. Bëhet fjalë për mesfushorin e talentuar, Rron Broja, që ka firmosur tashmë me “demat e kuq”.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi kampion i Shqipërisë përmes një njoftimi të shpërndarë për mediet.

Rron Broja vjen të Partizani pas disa aventurave me skuadra si Gent II, SK Deinze në Belgjikë dhe Trepça’89 në Superligën e Kosovës. Bëhet fjalë për një lojtarë që në të shkuarën ka qenë edhe pjesë e ekipit kombëtar u-21 dhe që mund të mbulojë disa pozicione në mesin e fushës.

Por Broja nuk do të jetë i vetmi afrim për Partizanin, pasi trajneri Franko Lerda kërkon edhe të paktën dy sulmues e një qendërmbrojtës për ta pasur ekipin e tij të kompletuar në Champions, por edhe në misionin për të mbrojtur titullin kampion. Në medie gjatë tre ditëve të fundit janë përfolur disa emra për tu bërë pjesë e Partizanit. Duke filluar nga vëllai i Ekuba, Josif Ekuba, Solomon, por edhe disa ta tjerë kanë qenë në qendër të vëmendjes për t’ju bashkuar ekipit të Lerdës.

Gjithashtu edhe dy sulmues të kombëtares shqiptare, Bekim Balaj dhe Azdren Llullaku janë përfolur si emra të mundshëm që po ndiqen nga drejtori i Partizanit, Olsi Rama. Aktualisht Partizani ndodhet në Slloveni, ku po kryen fazën përgatitore në prag të ndeshjes së parë në Champions me Karabak.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë