Futboll

Partizani, në kërkim të golit dhe fitores së parë europiane

Mund të jetë “e treta, e vërteta” për Partizanin, që luan sot ndeshjen e tretë europiane. Jo më në Ligën e Kampionëve, por në Ligën e Europës. Në “Selman Stërmasi” vjen Sherif Tiraspol, ekipi më i njohur moldav, por që nuk ka fuqinë e viteve të fundit dhe të kuqtë kanë shanset e tyre për kualifikim. Në dy ndeshjet ndaj Karabakut, skuadra e drejtuar nga trajneri italian Franko Lerda, u paraqit relativisht mirë dhe për sfidën e sotme, që starton në orën 17:30, jep shpresa për fitore.

Dhe për fitoren e parë europiane Partizanit i duhet patjetër të shënojë. Nuk ia doli ta gjente rrugën e rrjetës në 180 minutat e para europiane, por rastet i ka krijuar. Sot jo vetëm duhet t’i krijojë, por edhe t’i shfrytëzojë për ta fituar ndeshjen e parë me moldavët, për të hedhur një hap drejt kualifikimit. Klubi kryeqytetas ka bërë shumë afrime në merkaton e verës, por trajneri Lerda ka luajtur deri tani thuajse me formacionin e ish-trajnerit Skënder Gega. Nga sot gjërat pritet të ndryshojë, sepse italiani ka lënë të kuptohet se ekipi anti-Sherif do të jetë edhe Partizani i sezonit të ri. Në pikëpyetje janë idsa lojtarë, të cilët klubi pretendon t’i shesë, si Trashi, Mala e Asani, por të paktën dy të fundit do të jenë sot në fushë. Sulmi pritet t’i besohet Solomonit, ose Ekubanit, ndërkohë mbetet për t’u parë cila do të jetë zgjedhja e trajnerit Lerda për partnerin e Belicës në qendër të mbrojtjes.

Trajneri Lerda dhe mesfushori Telushi në konferencë shtypi

Italiani i stolit të kuq, për ndeshjen e sotme me Sherifin u shpreh se ekipi duhet të mbrohet në grup dhe të sulmojë në grup: “Përballë kemi një kundërshtar, që e vlerësojmë maksimalisht, duke ditur ecurinë e tij gjatë viteve të fundit. Këtë sezon ka ndryshuar shumë, por sërish e vlerësojmë maksimalisht. Ne kemi krijuar raste në dy ndeshjet e Championsit, por pa mundur të realizojmë. Nuk e mendoj problem golin, rëndësi ka krijojmë raste. Detyra jonë është të japim maksimumin, kualifikimi është i hapur. Partizani duhet të sulmojë në grup dhe të mbrojë në grup. Në Champions u paraqitëm mirë dhe grupi ka treguar vlera dhe cilësi”, - tha Lerda në konferencën për shtyp.

Përveç trajnerit, ka folur në konferencë edhe mesfushori Bruno Telushi, i cili evidentoi faktin se kundërshtari duhet respektuar, por jo të mbivlerësohet. Me moldavët e Sherifit aktivizohet edhe ish-lojtari i Kombëtares, Liridon Latifi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë