Futboll

Partizani ndryshon gjithçka, asgjë për të humbur në Moldavi

Partizani luan gjithçka për gjithçka sot në mbrëmje në Moldavi. Të kuqtë luajnë në orën 19:00, në fushën e Sherif Tiraspolit, ndeshjen e kthimit të turit të dytë eliminator të Ligës së Europës. Janë mundur 0-1 në Tiranë dhe kanë pak shanse për të kaluar më tej, megjithatë në futboll ndodh gjithçka dhe Partizani do të provojë me të gjitha mundësitë të kualifikohet. Skuadra do të ketë disa ndryshime në krahasim me ndeshjen e parë.

Trajneri italian, Franko Lerda, ka kaluar disa ditë të trazuara, pas përplasjes me ndihmësit e tij, Sakone dhe Mehmit, të cilët klubi ka vendosur t’i pezullojë për momentin. Megjithatë, ai foli me shumë optimizëm në konferencën e shtypit para ndeshjes në Moldavi. Partizanit i duhet medoemos të fitojë në këtë transfertë, madje me më shumë se një gol. Një “mision i pamundur”, kur mendon se në tri ndeshjet e deritanishme europiane të kuqtë nuk kanë mundur t’i gëzohen qoftë edhe një goli të vetëm. Mbrëmjen e sotme situata ndryshon, sepse kampionët e Shqipërisë nuk kanë çfarë humbin dhe do të luajnë në sulm.

Partizani zhvillon senacën e fundit stërvitore në Moldavi

Asani dhe Trashi pritet ta nisin titullarë, ndryshe nga ndeshja e parë, kur u ulën në stol nga trajneri Lerda. Janë lojtarë që kanë shënuar gola të rëndësishëm për Partizanin sezonin që shkoi dhe te kualiteti i tyre shpresohet shumë edhe për ndeshjen e sotme. Sulmuesi Mensah është bërë çështje të kuqtë dhe mundësia më e madhe është që të largohet, kështu që në sulm pritet të luajë ndonjë nga të ardhurit në merkaton e verës, Solomon ose Braun.

Pozitiv është fakti që i gatshëm për Partizanin është edhe sulmuesi Jurgen Bardhi, i cili duket se e ka lënë pas dëmtimin që e mbajti jashtë ndeshjeve të para. Ndoshta do të ketë disa minuta në këtë ndeshje edhe për këtë futbollist, i cili ishte titullar me ish-trajnerin Gega. Një dilemë ka edhe për mbrojtjen, ku Boldor, një nga përforcimet e fundit të Partizanit, mund të luajë nga minuta e parë në qendër, në vend të Bitrit. Partizani nuk ka asgjë për të humbur në këtë ndeshje dhe do të zbresë në fushë pa ndroje, por për të sulmuar me të gjitha forcat, duke shpresuar që edhe fatin ta ketë në krahun e tij.

Nga seanca e fundit e të kuqve në Moldavi

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë