Futboll

Partizani ndalet nga Kastrioti, Laçi fitore shprese për Europën

Partizani kryesues i Superligës është ndalur në barazim 1- 1 nga vendi i parafundit, Kastrioti. Në ndeshjet e para të kësaj jave të Superligës është mposhtur edhe Skënderbeu në fushën e Laçit. Kurbinasit fituan 1-0 me korçarët dhe tashmë shpresojnë për zonën e Europës.

Sfida në stadiumin “Redi Maloku” dihej që do të ishte e vështirë për Partizanin. “Të kuqtë” e Skënder Gegës nuk mundën dot të merrnin një fitore që do i afronte me titullin kampion përballë një Kastrioti shumë të motivuar dhe me shumë dëshirë për të mbijetuar këtë sezon në Superligë. Gjithë ndeshja ishte shumë e luftuar, por dy golat deçiziv u realizuan në harkun e 5 minutave. Fillimisht shënoi Partizani në minutën e 55’, më pas 4 minuta më vonë Shehu barazoi për Kastriotin. Me këtë rezultat, Partizani shkon në +13 pikë nga Kukësi ndërsa Kastrioti i afrohet me 5 pikë Tiranës.

Ndërkohë në sfidën tjetër të orës 16:00 në Superligë, Laçi ka mbajtur gjallë shpresat për Europë me fitoren ndaj Skënderbeut. Për kurbinasit shënoi Shtubina në minutën e 33’, ndërsa Skënderbeu humbi mundësinë më të mirë për të barazuar me anë të Bregut. Sulmuesi vlonjat shpërdoroi penalltinë në minutën e 56’, e cila u ndal nga gardiani Selmani. Laçi me këtë fitore shkon në kuotën e 44 pikëve dhe i afrohet shumë Flamurtarit dhe Kukësit. Ndërsa Skënderbeu me këtë humbje shuan shpresat për kalimin në Europë përmes kampionatit dhe Kupa mbetet e vetmja shpresë.

 

Më Shumë