Futboll

Partizani ndalet edhe nga Laçi, Telushi rikthehet vendimtar

Pas Kastriotit, Partizani është ndalur në shtëpi edhe nga Laçi në shifrat 1-1. Sulejman Starova në rikthimin e tij përballë ekipit që ka nxjerrë kampion për herë të fundit, ia doli që të marrë një pikë shumë të çmuar që vlen për Kupat e Europës. Pika nuk i prish shumë punë Partizanit që vijon të jetë i shkëputur në krye të tabelës, por mund të ndihmojë shumë Laçin në luftën për një vend në fazën eliminatore të Europa League.

Për shkak të mungesave të shumta, trajneri Skënder Gega improvizoi pjesën më të madhe të formacionit, duke bërë ndryshime edhe në skemë. Kurbinasit e nisën ndeshjen në sulm që në minutat e para, duke vënë nën presion Partizanin, madje në disa raste i shkuan shumë pranë golit. Nuk do të vononte shumë goli në fakt. Në minutën e 22’, ishte Shtubina që mposhti Hoxhën nga pika e bardhë e penalltisë. Me këtë gol të pësuar, Partizani zgjohet dhe hidhet në sulm në kërkim të barazimit. Rastet ishin të shumta, por pjesa e parë u mbyll me avantazhin e laçianëve.

Në 45 minutat e dyta, ndeshja ka të njëjtin agresivitet dhe ritëm. Partizani rrit presionin në zonën e Laçit, duke iu afruar më shumë portës së Selmanit, teksa ndihet edhe impakti i rikthimit të Bruno Telushit në fushën e lojës. Ishte pikërisht mesfushori vlonjat ai që do të gjente golin e barazimit në minutën e 82’. Penalltinë e fituar nga Çinari, Bruno Telushi do e ekzekutonte në mënyrë perfekte në stilin “Panenka”, për t’i dhënë Partizanit barazimin e dytë radhazi që vetëm sa ka shtyrë festën e titullit kampion.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë