Futboll

Partizani mbyll llogaritë me Championsin, “zbret” në Ligën e Europës

Mund të kishte marrë më shumë Partizani në fushën e Karabagut në Azerbajxhan, ku i pati të gjitha mundësitë të shënonte, por në fund doli i mundur 2-0. Ndeshjet e futbollit shpesh vendosen nga episodet dhe fiton ai ekip që i shfrytëzon ato. Të kuqtë gabuan në dy momente në pjesën e dytë, duke mbyllur kështu llogaritë me Championsin. Ozobiç dhe Kintana, ky i fundit pak sekonda pas futjes në fushë, kualifikuan Karabagun për në turin tjetër.

Ndeshja e parë ishte mbyllur 0-0 në Tiranë dhe Partizani u mbrojt mirë edhe në fushën e azerëve, por në pjesën e dytë nuk arriti të rezistonte. Pas pësimit të golit të parë, Partizani ndryshoi diçka në lojë dhe sulmuesi Somolon ishte shumë afër golit të barazimit, që do ta kualifikonte ekipin shqiptar, por gaboi përballë portierit kundërshtar. Edhe Asani rrezikoi me një gjuajtje nga jashtë zonës. Të kuqtë u hodhën në sulm të gjithë në shtesë pësuan edhe golin e dytë.

Pas eliminimit nga Championsi, Partizani kalon në Ligën e Europës, ku do të ndeshet me moldavët e Sherif Tiraspol. Me këtë ekip, që gjithashtu është eliminuar nga Championsi, aktivizohet ish-lojtari i Skënderbeut dhe Kombëtares, Liridon Latifi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë