Futboll

Partizani luan “kartat” e veta në Baku, fut në presion azerët

Me lojën e pjesës së dytë të ndeshjes së parë me Krabagun dhe me pak fat, Partizani mund t’ia dalë të kualifikohet për në turin e dytë eliminator të Ligës së Kampionëve. Ai barazim pa pësuar gol në “Selman Stërmasi” i mban kampionët e Shqipërisë të karikuar për të tentuar kualifikimin deri në fund. Një fitore e mundshme, barazimi me gola apo edhe pak fat te penalltitë, nëse edhe në Baku mbyllet pa gola, do të bënte që të kuqtë të arrinin të kualifikoheshin më tej, duke eliminuar një kundërshtar me një buxhet shumëfish më të lartë.

Trajneri Franko Lerda do të ndryshojë pak ose aspak në formacion, në krahasim me ndeshjen e parë. Përpara kapitenit Hoxha do të rreshtohen Ibrahimi, Bitri, Belica dhe njëri mes Trashit dhe Hakajt. Kjo është një nga dy dilemat e trajnerit të Partizanit, që do të vendosë në varësi të strategjisë për këtë ndeshje, nëse ajo do të jetë me theks sulmues apo mbrojtës. Partizanit i duhet të mbrojë me shumë kujdes, por mbrojtja bëhet edhe duke sulmuar, ndaj dhe sot në mbrëmje mund të shohim Trashin nga minuta e parë në fushë. Të sigurt në mesfushë janë Telushi, Mala dhe braziliani Kordeiro, të cilët luajtën një ndeshje të mirë në Tiranë. Dilema tjetër e trajnerit Lerda kë të bëjë me sulmin, me qendrën e këtij reparti. Çinari dhe Asani janë të sigurt, ndërsa Braun, i ardhur në merkaton e verës, është në balotazh me Mensah.

Partizani zhvillon stëvitjen e fundit në stadiumin ku luhet ndeshja me Karabagun

Partizani nuk ka aspak presion për këtë ndeshje. Përkundrazi, presioni është mbi Karabagun, që e ka detyrim kualifikimin, duke gjykuar nga shpenzimet dhe tradita që ka krijuar vitet e fundit. Të kuqtë mbeten në Europë edhe nëse eliminohen, shkojnë në Ligën e Europës, kështu që faktorin psikologjik pritet ta shfrytëzojnë për të bërë mrekullinë në Baku. Në futboll ndodh gjithçka, pavarësisht se në letër kampionët e Shqipërisë kanë pak shanse. Është fusha ajo që vendos dhe Partizani do të luajë “kartat” e veta për t’u kualifikuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë