Futboll

Partizani i shkon afër fitores, por nuk ia del dot me Sherifin

Provoi deri në fund, i shkoi shumë afër, por Partizani nuk ia doli që të kualifikohej në raundin pasardhës të Ligës së Europës. Kampionët e Shqipërisë nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1 në transfertë me Sherifin e Tiraspolit dhe duke u nisur nga humbja 1-0 në “Selman Stermasi” një javë më parë, “demat” rikthehen në Shqipëri të eliminuar nga Europa.

Ndeshja e Partizanit nisi shumë mirë në “Sherif Stadium”. Një lojë në sulm dhe pa shumë presion i dha efektet e saj. Jasir Asani i rikthyer në formacionin titullar, çoi topin në rrjetë pas një kombinimi të mirë në zonë për të kuqtë. Ky gol kishte vlera të mëdha për Partizanin, pasi përveçse ndezi shpresat për kualifikim, ishte edhe i pari për “demat” pas plot 600 minutash të luajtura në Europë, ku nuk kishte mundur dot të shënonte.

Moment gjatë ndeshjes Sherif Tiraspol - Partizani e vlefshme për Europa League - Gazeta Si 1 gusht 2019

Pjesa e parë do të vijonte të dominohej nga Partizani edhe pse vendasit iu afruan disa herë portës, duke goditur edhe shtyllën. Në pjesën e dytë, ku duhej një sulm frontal nga skuadra shqiptare, Sherifi i Tiraspolit zbriti më i vendosur. Me anë të një goditje standarde, Ndiaie realizoi për vendasit edhe pse nga Partizani pati disa kontestime për një pozicion të parregullt loje.

Moment gjatë ndeshjes Sherif Tiraspol - Partizani e vlefshme për Europa League - Gazeta Si 1 gusht 2019

Në vazhdimin e minutave, trajneri Franko Lerda bëri të gjitha lëvizjet e tij, duke tentuar t’i japë më shumë freski ekipit, me qëllim për të gjetur golin e dytë dhe të kualifikimit. Por goli nuk erdhi dhe Partizani nuk mundi dot të ishte i rrezikshëm në portën kundërshtare. Mbyllet kështu kjo aventurë europiane për Partizanin, që pas pushimeve të shkurtra do duhet të fillojë të mendojë menjëherë për kampionatin që fillon shumë shpejt, vetëm pas 3 javësh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë