Futboll

Partizani i nis përgatitjet me humbje, Laçi në rrugë të mbarë

Ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme aventura e Franko Lerdës në drejtimin e Partizanit. Italiani humbi në ndeshjen e parë si trajner i Partizanit me rezultatin 5-1 në një miqësore, përballë Sarajevos.

Ekipi që zbriti në fushën e lojës me disa ndryshime të vogla ishte po i njëjti që një muaj më parë u shpall kampion në drejtimin e Skënder Gegës. Nga ekipi kampion mungonin të larguarit, Atanda, Hebaj dhe Duka, që ishin zëvendësuar me prurjet e reja. Afrimi më i bujshëm, Uilliam Korderio ashtu siç pritej ka luajtur në krahun e sulmit, duke bërë që Esat Mala të kalonte në mes në rolin e një trekuartisti të improvizuar.

Sulmi që në kampionat ishte pika e dobët e Partizanit edhe në këtë ndeshje miqësore, të parën për Lerdën, sërish nuk është kuruar plotësisht. Çinari edhe pse u përpoq të jepte më të mirën, nuk është një sulmues i mirëfilltë dhe nxjerr në pah nevojën emergjente që Partizani ka për një sulmues tipik zone. Emrat e Balajt dhe Llullakut vijojnë të jenë të nxehtë në zyrat e Partizanit dhe në ditët e ardhshme pritet të ketë një afrim të bujshëm që do të mbajë peshën e sulmit “të kuq”.

Ndryshe nga kampionët, Laçi e ka filluar mbarë këtë fazë përgatitore në prag të ndeshjeve europiane. Kurbinasit nën drejtimin e Sul Starovës kanë fituar ndaj Kukësit 2-0 në ndeshje të zhvilluar në stadiumin e qytetit të Librazhdit. Laçi ishte në fushë me ekipin më të mirë, ndërsa Ernest Gjoka kishte hedhur pak a shumë Kukësin që mbylli sezonin. Blerjet e reja të Kukësit nuk janë harmonizuar ende me grupit dhe Gjoka nuk preferoi që t’i hidhte në fushë që nga minuta e parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë