Futboll

Partizani fillon revanshin, e mposht Skënderbeun në Korçë

Thonë se fillimi i mbarë është gjysma e punës dhe Partizani duket se ky vit i ri 2019 do të jetë shumë i frytshëm. “Skuadra e kuqe” ka arritur të marrë një fitore me shumë vlerë përballë Skënderbeut në Korçë. Pas disa barazimeve në fundin e vitit të shkuar, Partizani është rikthyer më së miri në këtë ndeshje të parë për vitin 2019-të që shënjon njëkohësisht edhe fillimin e fazës së tretë të kampionatit.

Ende pa u ngrohur mirë këmbët në stadiumin e Korçës do të vinte goli. Ishte shtatshkurtri Esat Mala që çon në rrjetë topin, duke shtangur ekipin korçar, por edhe tifozët që kishin mbushur shkallët e stadiumit. Një gol i tillë, u duk dikur e shokoi Skënderbeun dhe Partizani kërkoi të përfitonte për të shënuar edhe golin e dytë, por pa pasur sukses në disa tentativa. Do duhej të kalonin 20 minutat e para që Skënderbeu ta merrte veten dhe të fillonte të dilte rrezikshëm në portën e Alban Hoxhës. Në minutat e fundit të pjesë së parë Skënderbeu i pati shanset që ta barazonte sfidën, por asnjë nga sulmuesit korçar nuk ishin të saktë në gjuajtjet e tyre.

Në fraksionin e dytë të ndeshjes, Partizani u fut në lojë për të mbrojtur fitoren, që nga ana tjetër nuk mund të pranohej nga Skënderbeu. Korçarët dolën më guximshëm përpara, por sërish edhe në pjesën e dytë rastin më flagrant para portës do e kishte Partizani. Dita pengoi Asanin dhe arbitri Koçi sinjalizoi për 11-metërsh në favor të të kuqve, por Telushi ishte i pasaktë dhe shifrat mbetën të pandryshuara. Pas penalltisë së humbur Skënderbeu u hodh në sulm për të barazuar, por nuk e kishte forcën dhe saktësinë e duhur për t’ia arritur qëllimit.

Në fund të takimit nuk u shmangën edhe tensionet mes futbollistëve. “Të kuqtë” përpiqeshin ta vononin sa më shumë lojën, por arbitri i parapriu kësaj sjellje, duke akorduar 7 minuta shtesë. Në minutën e 5-të shtesë, Partizani do të mbetej me një lojtarë më pak, pas daljes me të kuq të Lorenc Trashit. Deri në fund Skënderbeu provoi të shënonte, por Partizani e mbrojti portën me fanatizëm dhe ia doli që të merrte tre pikë shumë të vlefshme përballë një kundërshtari direkt në luftë për titullin kampion.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë