Futboll

Partizani feston në shtesë me Skukën, Erzeni trondit Vllazninë

Gazeta Si - Partizani e ka nisur me fitore kampionatin, por ishte me fat, sepse ia doli të mposhtte Egnatian në minutën e 7-të shtesë. Një fitore me përmbysje, që i jep moral skuadrës së kuqe. Vllaznia dështon në start, duke u mundur nga Erzeni në fushën asnjëanëse të Durrësit.

Partizani u tradhtua nga portieri Rexhepi, i cili doli huq në tentativë për të larguar një top të kthyer pas. Camaj shënoi me lehtësi në portën e boshatisur, duke i dhënë avantazhin Egnatias në pjesnë e parë. Më parë rrogozhinasit goditën shtyllën me Xhekson.

Nga ndeshja Partizani-Egnatia, 2-1. Gazeta Si, 20 gusht 2022

Ne pjesën e dytë, edhe pas ndërrimeve të bëra nga stafi teknik i Partizanit, ndryshoi melodia në fushë. Megjithatë, për të barazuar të kuqve iu desh ndihma e VAR-it, që akordoi një penallti, pas prekjes së topit me dorë nga Atanda në zonë. Hoti u tregua i saktë nga pika e bardhë.

Në shtesë Partizani gjeti golin e fitores. Gjyqtari Hamitaj dha 8 minuta shtesë dhe në 7-ën Xhuliano Skuka shënoi golin trepikësh për të kuqtë. Ishte një realizim shumë i bukur me të majtën nga ana e sulmuesit dibran.

Një fitore me shumë vuajtje, por shumë e rëndësishme për ekipin e trajnerit Kolela, sidomos në planin moral. Egnatia ka investuar shumë në merkato, por ndoshta nuk mjafton.

Vllaznia mundet 1-0 nga Erzeni. Gazeta Si, 20 gusht 2022

Surprizën e madhe e ka bërë Erzeni. E kanë festuar me fitore rikthimin në elitë pas 19 vjetësh shijakasit, të cilët mundën 1-0 Vllazninë në stadimin “Niko Dovana” të Durrësit.

Ndeshja u vendos nga një gol i bukur i shënuar me goditje dënimi nga braziliani Alan. Ai goditi fort nga distanca dhe topi pushoi në rrjetën e Zogoviç. Vllaznia luajti një ndeshje të dobët, siç pranoi dhe trajneri Mirel Josa. Një start zhgënjyes për shkodranët.

Dy ndeshjet e fundit të javës së së parë, Bylis-Kastrioti dhe Laçi-Teuta do të luhen të dielën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë