Futboll

Partizani eliminohet nga Kupa, Tirana shkon në gjysmëfinale

Partizani është eliminuar nga Kupa e Shqipërisë, ndërsa Tirana ka prerë biletën e saj për në gjysmëfinale. Në ndeshjet e kthimit të Kupës së Shqipërisë, surpriza më e madhe ishte eliminimi i Partizanit nga Luftëtari, pasi të kuqtë e Gegës nuk ia dolën që të përmbysin humbjen e ndeshjes së parë, për më tepër që u mposhtën sërish në Gjirokastër. Tirana nga ana tjetër u mund 2-0 në Laç, por falë fitores 3-0 në ndeshjen e parë kaloi në fazën tjetër.

Sfida e luajtur në Kurbin ishte e mbushur me tensionin e mbartur edhe nga ndeshja e fundit mes këtyre dy ekipeve në kampionat. Laçi fitoi 2-0, por që nuk ishte e mjaftueshme për të kaluar në fazën tjetër, pasi në ndeshjen e parë kishte humbur 3-0 në “Selman Stërmasi”. Tirana e Ardian Memës ka hedhur pas krahëve atë barazim në shtëpi në ndeshjen e fundit me ekipin laçian dhe ia doli që të mbrojë fitoren e ndeshjes së parë edhe pse duhet thënë me jo pak vështirësi. Laçi i shënoi shumë shpejt dy golat e tij dhe gjithë pjesën e dytë ka ushtruar presion në portën e bardhebluve për të shënuar edhe golin e tretë, por kryeqytetasit ia dolën që të mbrohen me fanatizëm dhe të presin kështu një biletë të vyer për në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë.

Sakaq ka dështuar Partizani në kupën e dytë më të rëndësishme të sezonit. Të kuqtë e Gegës janë mundur sërish nga Luftëtari, që në shtëpinë e tij nuk mundet prej 22 vitesh nga Partizani. Për vendasit e Ahmatajt fitoren e ndeshjes së parë e përforcoi edhe më tepër goli i Dungës me penallti në minutën e 34’. Për gjatë gjithë ndeshjes Partizani kërkoi që ta kthente rezultatin në favorin e tij, por nuk e kishte forcën e duhur për të bërë dëm në portën e gjirokastritëve. Kështu, Partizani del jashtë Kupës së Shqipërisë dhe humbet mundësinë që të fitojë dy trofetë për këtë sezon. Sakaq Luftëtari që po lufton për mbijetesë në Superligë vijon të mbajë edhe një derë hapur për Kupat e Europës përmes Kupës së Shqipërisë. Tashmë mbetet për t’u parë performanca e gjirokastritëve në gjysmëfinale, aty ku parashikohen përballje shumë të forta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë