Gazeta Si – As Partizani dhe as Vllaznia nuk dinë të përfitojnë nga humbja e Tiranës kryesuese. Rivalët e titullit bëjnë një tjetër hap fals në garën e titullit, duke lënë pikë që në fund mund të kenë kosto të lartë. Partizani barazoi 1-1 me Egnatian për javën e 19-të, kurse Vllaznia u mund 3-2 nga Erzeni.
Katër ndeshje pa fitore për Partizanin. Tedi Cara humbi një penallti në pjesën e parë, gjuajtja e tij u prit nga portieri Alen Sherri. Partizani krijoi raste më pas, por pa mundur të gjente rrugën e rrjetës. Në pjesën e dytë trajneri Kolela goditi në shenjë me futjen në fushë të Hotit, që e kaloi Partizanin në avantazh 10 minuta para fundit, por nuk ishte e thënë që skuadra e kuqe ta fitonte ndeshjen.

Dy minuta para fundit Duamena barazoi shifrat me një veprim shumë të bukur teknik. Sulmuesi i Egnatias tregoi klas me marrjen e topit dhe goditjen në zonë, duke i dhënë skuadrës së tij një pikë të çmuar në këtë ndeshje.
Vllaznia u mund 3-2 në Durrës nga Erzeni, që vazhon të befasojë me futbollin që luan dhe rezultatet javë pas jave. Shkodranët u ndëshkuan që në fillim nga një autogol i Smajlit, më pas pësuan golin e dytë nga braziliani Nonato. Mala shkurtoi në fillim të pjesës së dytë për Vllazninë, por shijakasit goditën sërish me të njëjtin lojtar.

Sulmuesi i Kombëtares, Bekim Balaj, e nisi titullar këtë ndeshje, por golat avzhdon t’i shënojë Fjoart Jonuzi. Mesfushori futi sërish Vllazninë në lojë me golin e 2-të, pas një gjuajtjeje të saktë në pozicion diagonal. Megjithatë, hskodranët nuk mundën ta shmangnin humbjen dhe u detyruan të ndërrojnë vendet me shijakasit, me këta të fundit një shkallë më lart.
Në ndeshjen Laçi-Teuta u shënuan plot 7 gola. Kurbinasit fituan me përmbysje 4-3, duke iu afruar zonës europiane, ndërsa Teuta mbetet sërish në zonën e rënies. Durrsakët e nisën mirë ndeshjen, shënuan 2 gola të shpejtë, por nuk mundën ta ruanin rezultatin dhe dolën pa pikë nga kjo transfertë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.