Futboll

Partizani dhe Teuta zyrtarizojnë dy firmat e para të merkatos së dimrit

Pas trajnerit Dritan Mehmeti, Partizani ka zyrtarizuar edhe afrimin e parë të merkatos së dimrit, që është mesfushori Sherif Kallaku. Bëhet fjalë për një huazim deri në fund të sezonit nga skuadra kroate e Lokomotivës së Zagrebit.

“Partizani njofton arritjen e marrëveshjes me Sherif Kallakun. Mesfushori ashkohet me 16 herë kampionët e Shqipërisë pas eksperiencave të suksesshme në kampionatin tonë me Laçin dhe Teutën, si dhe jashtë vendit te Lokomotiva Zagreb. Drejtuesit dhe mesfushori kanë arritur marrëveshjen me klubin kroat për huazimin e 23-vjeçarit, i cili do të jetë pjesë e të kuqve deri në fund të këtij sezoni futbollistik”, - shkruan Partizani në faqen e tij zyrtare.

Njoftimi i Partizanit per Kallakun. Gazeta Si, 4 janar 2022

Nga Partizani pritet të largohet ish-mesfushori i Kombëtares, Ergys Kaçe. Lojtari që ka pagën më të lartë në Superiore nuk ka mundur të tregojë asgjë deri tani me fanellën e kuqe dhe palët janë drejt ndarjes, por më parë duhet të bien dakord për prishjen e kontratës.

Një afrim të rëndësishëm ka bërë edhe Teuta, skuadra kampione në fuqi, që ka rikthyer sulmuesin Rubin Hebaj. “Teuta komunikon marrëveshjen me futbollistin Rubin Hebaj. Drejtuesit e klubit dhe sulmuesi kanë gjetur akordin për bashkëpunim dhe lojtari është prezantuar nga shefi i klubit, Enid Furxhi. Hebaj rikthehet në Durrës pas eksperiencës te Shkëndija e Tetovës. Sulmuesi është bashkuar sot me ekipin”.

Njoftimi i Teutes per Hebajn. Gazeta Si, 4 janar 2022

Ky është edhe njoftimi zyrtar i Teutës për rikthimin e Hebajt. Nga durrsakët është larguar pak ditë më parë sulmuesi Giorgiev, që nuk u ngjit në nivelin e pritshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë