Futboll

Partizani dhe Skënderbeu nuk gabojnë në Kupë

Asnjë surprizë në raundin 1/8 të Kupës së Shqipërisë. Skënderbeu dhe Partizani kanë marrë fitoret respektive përballë Besëlidhjes dhe Kastriotit. “Të kuqtë” kanë triumfuar në shifrat 2-4, ndërsa Skënderbeu ka vuajtur pak më shumë duke fituar minimalisht 1-2.
Nuk ishte një ndeshje e lehtë për ekipin Skënderbeut që në fushën e lojës zbriti pa katër lojtarë të formacionit titullar. Golit të shpejtë të Xhon në minutën e dhjetë, skuadra lezhjane iu përgjigj mjaft mirë, duke barazuar në minutën e 26’. Por nuk zgjati më tej, pasi në fillimin e pjesës së dytë, Skënderbeu do të shënonte golin e fitores me anë të Gripshit.

Orges Shehi në këtë ndeshje Kupe në prag të përballjes me Partizanin të premten luajti me këtë formacion: Teqja, Pëllumbi, Sambou, Vangjeli, Abazi, Taipi, Guexh, Dita, Hoxhaj, Gripshi dhe Oto Xhon. Ndërsa Besëlidhja luajti me Bajri, Miloti, Dibra, Hoxha, O,Kamara, Tea, Hepaj, I.Kamara, Abubakar, Fetaj dhe Rustemaj.

Për Partizanin ka qenë disi më e lehtë kjo ndeshje e parë në Kupë edhe pse përballë kishte një ekip të Superligës, si Kastrioti. Skuadra e drejtuar nga Skënder Gega e filloi ndeshjen në disavantazh, pas golit të shpejtë të vendasve. Por reagimi i Partizanin erdhi shumë shpejt. Në fillim barazimi me Hebaj dhe më pas Mensah përmbysën gjithçka në favor të Partizanit që para se skuadrat të hynin në dhomat e zhveshjes.

Më pas në 45 minutat e dyta Partizanin vetëm sa vijoi goleadën. Ata që gjetën rrjetën njëri pas tjetrit ishin Trashi dhe më pas sërish Hebaj që kompletoi dopietën e tij në këtë ndeshje të parë për vitin 2019. Partizani në këtë ndeshje nuk aktivizoi që nga minuta e parë shumë nga titullarët e dy fazave të para, duke hedhur në fushë këtë formacion: Hoxha, Belica, Ibrahimi, Atanda, Rexhepi, Kalari, Kote, Hila, Çinari, Mensah dhe Hebaj.

Ndeshjet e kthimit për të dyja ekipet do të luhen në datën 6 shkurt. Skënderbeu dhe Partizani do të vihen përballë me njëra tjetrën në ndeshjen e vlefshme për javën e parë të fazës së tretë të Superligës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë