Nga Gazeta ‘Si’ – Ndonëse bujqësia është shpallur sektor prioritar, buxheti i 2024 i vënë në dispozicion për të, tregon krejt të kundërtën sipas ekspertëve të fushës.
Nën kritika të shumta, ata shprehen se projektbuxheti i vitit të ardhshëm në të cilin parashikohen më pak fonde se viti aktual, tregon sipas tyre një qëndrim armiqësor ndaj bujqësisë.
Nga të gjithë zërat, shkurtimet më të mëdha të fondeve janë për skemat mbështetëse të fermerëve.
LEXO EDHE:
– Buxheti 2024, Muço: Rritja e pagave nuk nxit zhvillim ekonomik. Taksat në sektorin turistik do ta dëmtojnë
– Denaj: Bujqësia ka nevojë për buxhet trefish më të lartë. IPARD? Ngadalësim procesi dhe jo bllokim
– Gjokutaj: Buxheti 2024 s’ka emër. Nuk i dedikohet një skeme!
“Ministria e Bujqësisë merr në total në projektbuxhetin për vitin e ardhshëm 129.5 milion euro ose 1.92 % të shpenzimeve të buxhetit 2024 nga 2.2% që ishin këtë vit.
Fondi për mbështetjen direkte të fermerëve nëpërmjet skemave të AZHBR është 31 milion euro dhe përbën 0.46% të shpenzimeve të buxhetit të shtetit kur standardi i rajonit është 3.5% dhe i BE është 5%”, thotë për Gazetasi.al Eduard Sharka, ekspert bujqësie dhe ish-kreu i Shoqatës së Fermerëve.
Në kushtet kur sektori kërkonte më shumë financim për të dalë nga spiralja e krizës ku është futur Sharka shprehet se është paradoksale dhe zhgënjyese që shkurtimi i fondeve, me 27 milionë euro, ndodh pikërisht tek fermerët.

Në një paralelizim me vendet e rajonit, ai evidenton se raporti midis mbështetjes direkte për fermerët dhe shpenzimeve të tjera të Ministrisë së Bujqësisë, në Shqipëri është i përmbysur.
“Në Shqipëri vetëm 23.93% e fondit të akorduar shkon për mbështetje direkte për fermerët dhe 76.09% shkon për shpenzime të tjera të Ministrisë së Bujqësisë.
Kemi një raport të përmbysur krahasuar me fqinjët. Në Bosnje, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe në Serbi, janë pagesat direkte për fermerët ata që zënë 70-80% të buxheteve të bujqësisë”, vëren ai ndërsa citon se është e çuditshme që kur shpallet strategjia kombëtare, bujqësia konsiderohet prioritet por kur ndahen fondet, kjo nuk reflektohet thuajse fare.
Në një mendje me të është edhe kreu i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj.
Ai shprehet se buxheti i ministrisë në këto nivele që është, kërkon edhe të paktën 90 milionë euro për të mbajtur në minimumet e mundshme mbështetjen e sektorit privat.

“Kemi një situatë shumë të pafavorshme. Si mundet ne që me këtë buxhet prodhimet bujqësore dhe blegtorale t’i kemi konkurruese? Si mundet të konkurrojmë me rajonin? Si do të ulim çmimin për konsumatorët që vijon të jetë në rritje?
Ne flasim për krahasim me kostot e produkteve që vijnë nga importi, por nuk ndjekim këtë politikë. Politikë tjetër ndjekin ata, politikë tjetër ne, dhe kemi një diskordancë që bie në kurriz të fermerëve.
Gjithashtu ka edhe një sërë procesesh të tjera që nuk i realizojmë dot me këtë buxhet, që nga certifikimi, standardizimi, procesi i përpunimit të mbetjeve, prodhimet organike etj. Po kështu edhe kushtet e standardit të jetesës apo shpopullimin e zonave rurale, nuk e ndalojmë dot me këtë buxhet”, vëren ai.
Në raportin e fundit të Bankës Botërore, Shqipëria spikati si vendi me nivelin më të ulët të mbështetjes për bujqësinë jo vetëm në rajon, por edhe në Europë.
BB theksoi se Shqipëria financoi mesatarisht me 0.19% të PBB sektorin bujqësor gjatë viteve 2020-2021 ndërkohë që vendet e BE-së financuan bujqësinë me 0.35% të PBB-së ndërsa Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Kosova financuan përkatësisht me 0.35% ; 0.56% dhe 0.68%.

“Objektivat në relacion, qesharake dhe paradoksale”
Përpos kritikave për fondet e pakta, ekspertët shprehin rezerva edhe ndaj objektivave të vendosura në relacionin shpjegues. Sharka evideton disa prej tyre për Gazetasi.al dhe i konsideron ata qesharake.
“Një nga objektivat është që do rritet numri i të punësuarve në bujqësi dhe agropërpunim, nga rreth 565 mijë të parashikuar në 2024, në 568 mijë në vitin 2026. Nuk e di se ku i bazojnë këto shifra. Sikur nuk jetojnë në Shqipëri dhe të shohin që në fakt fshati dhe bujqësia po braktisen çdo ditë e më shumë”, vëren ai ndërsa shton se vendi ynë nuk merr asnjë lloj nisme për të mbajtur fermerët këtu.
“Ndërkohë që te ne flitet për Akademi Çobanësh, po të shkojë një i ri mbi 18 vjeç në njërën nga bashkitë në Greqi, përfiton një grant prej 60 mijë eurosh që të blejë mekanikë bujqësore dhe të investojë në bujqësi. Ndërsa te ne, u jepet çdo ditë shkas për të ikur”, vijon ai.
Ish-kreu i Shoqatës së Fermerëve gjithashtu vëren se sipas tij qesharake është edhe objektiva për rritjen e numrit të përfituesve nga Skema e Subvencionit të naftës nga 31 mijë këtë vit në 32 mijë e 500 në 2026-n.
“Ndërkohë qeveria harron se janë mbi 75 mijë fermerë të pajisur me nipt dhe se e sa fermerë të tjerë që nuk janë pajisur”, mbyll Sharka për Gazetasi.al.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.