Kombetarja

Paradite në Thumanë, pasdite në “Air Albania”…

“Air Albania Stadium” pret nesër një ndeshje të veçantë, një miqësore bamirësie për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit me pjesëmarrjen e ish-futbollistëve të njohur shqiptarë, italianë, grekë dhe turq. Federata Shqiptare e Futbollit, që është një nga organizatoret e këtij evenimenti, bashkë me Sindikatën e Futbollistëve Profesionistë, ka bërë të ditura detajet e kësaj ndeshjeje.

Gjatë paradites së nesërme, në orën 11:00, të gjithë ish-futbollistët do të bëjnë një vizitë në Thumanë, një nga zonat e goditura më rëndë nga tërmeti, ku do të takojnë nga afër banorët. Të ardhurat e grumbulluara nga ndeshja e 10 janarit do të shkojë pikërisht për ta dhe banorë të zonave të tjera të prekura nga tërmeti.

Bëhen me dije gjithashtu edhe disa detaje të aktivitetit të mbrëmjes, që do të jetë në formën e një spektakli. Katër skuadrat pjesëmarrëse do të luajnë dy ndeshje gjysmëfinale nga 30 minuta dhe më pas ndeshjen finale. Të ftuar për këtë mbrëmje janë edhe “DJ” Vin Veli dhe këngëtari kosovar MC Kresha.

Që sot kanë mbërritur në Tiranë shumica e ish-lojtarëve të Kombëtares dhe ish-lojtarëve të huaj të ftuar në këtë miqësore bamirësie, ku veçohen Xhanluka Xambrota, Luixhi Di Biaxho, Damiano Tomazi, Simone Perrota, Jorgos Karagunis, Ryshty Eçber, Emre Ashik, Tunçai Sanli etj. Vazhdojnë ndërkohë polemikat për listën e ish-lojtarëve kuqezi, ku gjithmonë e më shumë shtohen rezervat dhe kritikat. Emra si Rudi Vata, Agustin Kola dhe Sokol Kushta, nuk janë aspak dakord me listën e Andi Lilës, kryetarit të Sindikatës së Futbollistëve Profesionistë. Mungesat janë vërtet të mëdha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë