Futboll

Parada e triumfit në Romë, Marash Kumbulla thumbon Lacion

Gazeta si - Festa pas finales në stadiumin “Air Albania” dhe ajo në aeroport gjatë natës, ia la vendin festës së madhe në Romë. Ishte parada e triumfit nga skuadra e Zhoze Mourinjos.

Gjatë orëve të pasdites, skuadra fituese e Ligës së Konferencës kaloi në rrugët e kryeqytetit italian me një autobus të zbuluar. Veç lojtarëve dhe drejtuesve, ishte i pranishëm edhe pronari i klubit. Mourinjo dhe lojtarët kanë prekur nga afër delirin e tifozëve për trofeun aq shumë të munguar.

Parada e triumfit pati edhe disa momente pikante. Zaniolo, autori i golit të fitores në Tiranë, ishte më i papërmbajtshmi nga lojtarët. Gjatë gjithë kohës ai karikonte tifozët verdhekuq me megafon.

Lojtarët e Romës mbi autobusin e zbuluar. Gazeta Si, 26 maj 2022

Ra në sy edhe një pankartë thumbuese për Lacion, ekipin rival të qytetit. Një pankartë që u fotografua në duart e Marash Kumbullës, mbrojtësit të Kombëtares shqiptare.

"Lazio, Tirana brutta aria", - shkruhej në pankartën e Kumbullës. Të gjithë e kuptojnë italishten dhe këtë lojë fjalësh, ku përmendet dhe kryeqyteti ynë. Pikërisht në Tiranë Roma arriti të fitojë një trofe të rëndësishëm.

Në të tilla raste nuk mungojnë kurrë thumbat për rivalët e qytetit. Ndodhi kështu edhe në festën e Milanit, ku Interi rival ishte në shënjestër nga shumë lojtarë.

Kumbulla me pankartën kushtuar Lacios. Gazeta Si, 26 maj 2022

Ajo që të çudit lidhet me faktin se pankartën ironike e mbante në duar Kumbulla, një tip shumë i qetë. Parada entuziaste ndoshta e ka bërë edhe atë të dalë pak nga vetja.

Kujtojmë që mbrojtësin kuqezi e kërkoi me ngulm edhe Lacio dhe konkretisht drejtori sportiv Igli Tare, para se të kalonte nga Verona te Roma.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë