Ngjarje

Parada e Nju Jorkut në Tiranë, mbi 5 mijë shqiptarë nga jashtë vijnë në Ditën e Pavarësisë

Nga Gazeta Si- 28-29 nëntori do jenë ditë festë në Tiranë, me Organizatën “Rrënjët shqiptare” që sjellin në Kryeqytet paradën që ndër vite është mbajtur në Nju Jork.

Duke nisur nga sonte, 150 kryetarët e bashkive të ndryshme nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Presheva, por edhe 47 kryetarë komunash arbëreshe që vijnë për herë të parë për të festuar ditën e Pavarësisë. Në mbrëmje ata do të mblidhen në Pallatin e Brigadave.

Ndërsa nesër, 28 nëntor, mbi 200 ansamble, grupe të ndryshme, sportistë me famë ndërkombëtare dhe shoqata do të mbushin sheshin “Nënë Tereza” për të vijuar më pas festën në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” e deri tek sheshi “Skënderbej”. Kjo paradë do të zgjasë rreth 2-3 orë dhe në fund do të bëhet një ngritje simbolike e flamurit.

Ansamblet dhe grupet do të demonstrojnë traditat e të gjitha trojeve shqipfolëse.

“Do jenë rreth 5 mijë të ftuar dhe miq që do u bashkohen festës së qytetarëve në Tiranë”, tha për median nën kryetari i Bashkisë Tiranë Andi Seferi.

Ndërkohë mbrëmja e datës 28 do të sjellë “Festivalin e Gjirokastrës” në Sheshin “Skënderbej”, ku do të jetë një shfaqje e madhe e traditave të ansambleve që do marrin pjesë.

I pyetur nëse ka qenë e thjeshtë të bësh bashkë 150 kryetarë bashkish nga të gjitha trojet, Seferi tha se kjo është arritur falë “Rrënjët Shqiptare” që ka bërë ftesën për kryetarët të cilët kanë qenë të gjithë të gatshëm të festojnë në Tiranë.

Përsa i përket datës 29, përveç ceremonive zyrtare, pasdite vonë fillon dhe kremtimi i Natës së Bardhë me një koncert në sheshin “Skënderbej” me këngëtarët më në zë të momentit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë