Ngjarje

Nga Nju Jorku në Tiranë / Për herë të parë Parada e Shqiptarëve bën bashkë 125 bashki nga të gjitha trojet shqiptare

Më 28 nëntor, shoqata e Shqiptarëve në Amerikë, “Albanian Roots”, do të organizojë paradën e shqiptarëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Tiranë.

E kthyer tashmë në një traditë në Nju Jork, shqiptarët nga e gjithë bota do të bëhen bashkë në Tiranë në paradën e krenarisë.

Marko Kepi, president i “Albanian Roots” (Rrënjë Shqiptare) u shpreh se kjo traditë e bukur do të mbahet çdo vit në një qytet shqiptar.

“Sivjet për herë të parë do të zhvillohet Parada e Shqiptarëve në Tiranë, pra në Shqipëri dhe dëshira jonë është që çdo vit Paradën ta përcjellim nëpër qytete shqiptare, në Prishtinë, Shkup, Ulqin, në të gjitha trevat shqiptarë që ta bëjmë si traditë bashkimin e shqiptarëve. Të paktën të festojmë njëherë në vit së bashku, të lëmë anash politikën dhe gjërat që na përçajnë por të mblidhemi”, tha ai.

Marko Kepi tha se janë ftuar 125 bashki në trojet shqiptare për të marrë pjesë, përfshirë edhe arbëreshët e Italisë.

“Janë më shumë se 300 veta që do vijnë nga Italia. Shpresojmë të jetë tamam një paradë, ashtu si ka emrin një paradë shqiptare që na bën të gjithëve krenarë, të shpalosim ato vlerat tona shqiptare. T’i japë një arsye edhe të huajve të vijnë në Shqipëri edhe për paradën shqiptare. Siç shkojnë të huajt apo amerikanët në Gjermani kur është “October Fest” ose në vende të tjera që janë bërë traditë disa festa të tyre, ta bëjmë edhe ne traditë në Shqipëri që edhe më shumë të sjellim turistë dhe të huaj në Shqipëri”, shprehet ai.

Presidenti i “Rrënjë Shqiptare” u shpreh se janë të shumta kërkesat për të marrë pjesë nga SHBA, Anglia apo Zvicra.

“Çdo vit kemi kërkesa nga shqiptarët në të gjithë botën që thonë ta bëjmë dhe një në Londër, ta bëjmë edhe në Zvicër. Është pothuajse një vazhdim ose një përgjigje ndaj atyre thirrjeve të shqiptarëve nëpër botë që e shohin paradën e Nju Jorkut dhe kanë dëshirë edhe ata që nuk mund të marrin pjesë në Nju Jork, të marrin pjesë në një Paradë Shqiptare. Mendojmë se kjo paradë do ta përhapë patriotizmin shqiptarë edhe në trojet ku ata shqiptarë jetojnë sot për sot. Ne do vazhdojmë paradën në Tiranë që të mundohemi që çdo vit ta bëjmë sa më bukur”, deklaroi Kepi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë