Kombetarja

Para Turqisë, Veseli: Na mungon një lider, por mund të fitojmë

Shqipërisë se pas Europianit të 2016 në Francë i ka munguar gjithmonë diçka në fushë, pavarësisht përpjekjeve të ish-trajnerit Panuçi dhe të trajnerit aktual, Edi Reja. Kjo është vënë re edhe nga vetë grupi aktual i Kuqezinjëve dhe këtë e theksoi Frederik Veseli.

Mbrojtësi doli në konferencë për shtyp para ndeshjes me Turqinë dhe pranoi se entuziazmi në skuadër nuk është i njëjtë me atë të Europianit. Veseli vlerëson atmosferën në grup, por vëren se mungon një lider.

“Atmosfera është shumë e mirë në ekip dhe të gjithë flasim me njëri-tjetrin dhe jemi të bashkuar të rinjtë me më të vjetrit. Entuziazmi nuk është siç kanë qenë para europianit, ose në europian dhe normal që tashmë bie. Megjithatë, atmosfera është është shumë e mirë. Hysaj është mungesë e madhe sidomos pas ndeshjes me Islandën ku edhe shënoi. Mundem të them se është lideri i ekipit dhe e vuajmë mungesën e tij, por kemi lojtarë për ta mbuluar atë pozicion. Edhe unë mund ta bëj atë pozicion, por në fund vendos trajneri”, tha Veseli.

Megjithatë, Veseli u shpreh i bindur se Shqipëria i ka kapacitetet për të përsëritur rezultatin e miqësores së fundit të luajtur ndaj Turqisë, ku kuqezinjtë dolën fitues.

“Ka shumë rëndësi kjo ndeshje sepse e dimë që ka mundësi të bëjmë një hap shumë para nëse fitojmë. Synojmë fitoren dhe pse jo të vazhdojmë në këtë edicion dhe të bëjmë diçka pozitive. Besoj e shpresoj të mundim Turqinë si në miqësore në Antalia. Nuk duhet të kemi presion, por të bëjmë lojën tonë pasi kemi mundësi të fitojmë”, u shpreh ai.

Mbrojtësi vlerësoi Kumbullën dhe formën që i riu po kalon me Veronën në Serinë A.

“Kumbulla është shumë i mirë dhe shumë i ri. E ka treguar veten në Serinë A dhe si person është djalë i mirë e punëtor. Do të arrijë shumë lart nëse e mban këtë mentalitet. Është pozitive për Kombëtaren që një lojtar si ai, përparon aq shumë në një kampionat të atij niveli”, u shpreh ai.

Para gazetarëve doli edhe mbrojtësi i Partizanit, Lorenc Trashi. Për të kjo është hera e tretë që thirret në Kombëtare, megjithëse nuk është aktivizuar asnjëherë. Vetë futbollisti u shfaq i duruar, ndërsa Kombëtaren e sheh edhe si trampolinë për t’u transferuar jashtë Shqipërisë.

“Jap maksimumin dhe në fund vendos trajneri se kush luan. Çdo lojtar në kampionatin shqiptar do një eksperiencë në ekip më të fortë në Europë dhe Kombëtarja mund të më shërbejë për këtë pjesë. Shpresoj të kem minuta dhe të shoh veten se ku jam dhe të shkoj në një ekip të një niveli më të lartë”, u shpreh ai.

Trashi kërkoi përqëndrim maksimal në sfidën ndaj Turqisë dhe vlerësuan kundërshtarin si tepër të fortë. Ai u shfaq optimist se me përqëndrim dhe me pak fat, Shqipëria mund të largohet nga fusha e lojës me të paktën një pikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë