Politike

Para miratimit të udhërrëfyesit, PE i kërkon Komisionit që të garantojë reformën zgjedhore

Komisioni Europian është duke mbledhur rekomandimet përfundimtare të komiteteve të Parlamentit para vendimmarrjes në lidhje me udhërrëfyesin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Mes komiteteve që kanë dorëzuar draft-rekomandimet është edhe ai për Tregtinë e Jashtme. Pavarësisht natyrës së këtij komisioni, çështjet që lidhen rekomandimet politike sërish zënë një peshë kryesore dhe mes tyre përmendet edhe kushti i reformës zgjedhore.

Komiteti nuk i adresohet drejpërdrejtë Shqipërisë, por duke patur parasysh se Maqedonia nuk ka asnjë kusht për hapjen e negociatave, kuptohet lehtësisht se rekomandimi adresohet direkt për në Tiranë.

“(Komisioni)…të kujdeset për miratimin e reformave zgjedhore që garantojnë zgjedhje të lira, të ndershme, konkurruese dhe transparente si në nivel qendror, ashtu edhe në nivel vendor, të lira nga kërcënimet, fushatat keqinformuese dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe transparencën në financimin e partive, si dhe në përputhje me rekomandimeve e misioneve vëzhguese ndërkombëtare”, thotë Komiteti.

Në listën e gjatë të rekomandimeve, Komiteti kërkon Bashkimit Europian që përplasjet e brendshme të mos ndikojnë në politikën e zgjerimit, që do të minonte edhe më tej besueshmërinë e BE-së në Ballkanin Perëndimor.

“Të mbështetet perspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor dhe të nxisë procesin e anëtarësimit përmes forcimit të shtetit ligjor dhe duke u siguruar që zgjerimi i unionit të vazhdojë paralelisht me bisedimet e brendshme për të ardhmen e Bashkimit Europian”, thuhet në rekomandim.

Komiteti e interpreton këtë si hap të domosdoshëm për të rikthyer besueshmërinë dhe seriozitetin e BE-së pas dështimit në Këshillin Europian të hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në 2019, vendim, që sipas raporti pati disa efekte anësore negative në rajon.

“Kontribuoi në rritjen e populizmit, nacionalizimit dhe euroskepticizmit, minoi përpjekjet dhe progresine bërë nga vendet kandidate dhe rrezikoi krijimin e një vakuumi politik që nxiti aktorë të tretë për të rritur ndikimin e tyre në rajon”, thuhet në raport.

Komiteti i Tregtisë kërkon gjithashtu që Komisioni të sigurohet që metodologjia e re e zgjerimit të garantojë rregulla më të parashikueshme dhe kritere më specifike, duke patur parasysh sidomos parimin e “kthyeshmërisë së procesit”.

“Të sigurohet që metodologjia e re për anëtarësimin në BE të parashikojë rregulla më të parashikueshme dhe kushte të bazuara në parimin e kthyeshmërisë së procesit, si dhe t’i zbatojë këto duke e bërë këtë proces (anëtarësimin) më dinamik”, thuhet në raport.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë