Futboll

Paolo Maldini thotë “Po”, Milani i ri në duart e ish-kapitenit

Hapet një faqe e re në klubin kuqezi. Në qendër të projektit të Milanit të ri do të jetë një figurë e rëndësishme, ish-kapiteni Paolo Maldini, i cili i ka thënë “Po” propozimit të administratorit Ivan Gazidis për postin e drejtorit teknik. Tani është radha e trajnerit të ri dhe merkatos, në pritje të sentencës së UEFA-s për “Fair-Play”-in.

Milani i ri nis nga Paolo Maldini. Pasi mori disa ditë kohë për t’u menduar mirë, ish-kapiteni i kuqezinjve ka vendosur ta pranojë propozimin për të qenë ai drejtori teknik i skuadrës, dukë lënë kështu postin e drejtorit të zhvillimit strategjik. Maldini do të marrë vendin e mbetur bosh pas largimit të Leonardos pak ditë më parë. Paolo Maldini ka marrë garancitë që kërkonte nga klubi në lidhje me autonominë në vendime dhe buxhetin në dispozicion për të bërë merkaton, duke nisur nga trajneri i ri. I preferuari për stolin kuqezi është trajneri i Sampdorias, Marko Xhampaolo.

Pas lamtumirave të Leonardos dhe Gatuzos, te Milani nis një epokë e re, nën shenjën e Paolo Maldinit, i cili do të marrë një rol qendror në organigramën e klubit kuqezi. Kjo gjë ndodh më pak se një vit pas rikthimit të tij te Milani si drejtues. Drejtori i ri teknik do të ketë mbështetjen e një drejtori sportiv, që do të jetë krahu i tij i djathtë, dhe të një bashkëpunëtori të sektorit teknik. Anxhelo Karbone, nga përgjegjës i aktivitetit bazë, do të marrë detyrën e përgjegjësit të sektorit të të rinjve, në vend të Mario Beretës. Me zyrtarizimin e detyrës së re, Maldini duhet të mbyllë së pari çështjen e trajnerit të ri. Emri më i përfolur është ai i Marko Xhampaolos, që do t’i japë lamtumirën Sampdorias pas tre vitesh. Ai konsiderohet profili ideal për Milanin e ri, e njeh mjaft mirë kampionatin italian dhe është mësuar të punojë me të rinjtë. Për të është gati një kontratë trevjeçare me dy milionë euro në sezon. Pastaj do të jetë radha e lëvizjeve në merkato, rinovimit të Susos, Donarumës dhe Romanjolit, të gjitha këto në pritje të sentencës së UEFA për “Fair-Play”-in.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë