PAOK i Selanikut është shpallur kampion i Greqisë, për herë të tretë në historinë e tij. Një titull i fituar pas 34 vitesh. Fitorja 5-0 në ndeshjen e fundit ndaj Levadhiakosit, i rënë nga kategoria, i ka dhënë matematikisht titullin skuadrës selanikase një javë para mbylljes së kampionatit, pasi diferenca me Olimpiakosin është 5 pikë. Merr fund hegjemonia e skuadrave të Athinës, Panathinaikosit, Olimpiakosit dhe AEK-ut, që kanë dominuar futbollin grek prej vitit 1988, kur kampione ishte shpallur AEL Larissa.
Entuziazëm i jashtëzakonshëm në Selanik, ku tifozët një natë më parë kishin festuar 93-vjetorin e krijimit të klubit, duke ndezur qytetin. Atmosferë spektakolare në stadium pas zyrtarizimit të titullit. PAOK-u, i drejtuar nga trajneri Razvan Luçesku, djali i trajnerit të famshëm rumun Mirçea Luçesku, nuk e fitonte kampionatin prej sezonit 1984-85. Vitin e kaluar, po në drejtimin e Luçeskut, PAOK-u fitoi Kupën e Greqisë. Në stafin teknik të skuadrës nga Selaniku bëjnë pjesë edhe italianët Diego Longo, Kristiano Baçi dhe Mateo Spatafora. Në grupin e lojtarëve të PAOK-ut spikasin mbrojtësi Alin Toska, fantazisti maroken Omar El Kadouri, mbrojtësi Angel Krespo, portugezi Vierinja, braziliani Jaba, lojtari i kombëtares greke Pelkas etj. Në janar PAOK-u shiti yllin e skuadrës, sulmuesin Prijoviç, autor i 9 golave në 13 ndeshje, megjithatë ia doli për titullin kampion.
Më parë me PAOK-un është aktivizuar edhe mesfushori i Kombëtares, Ergys Kaçe, madje ka qenë edhe protagonist me disa gola të rëndësishëm. Tani ai luan për Panathinaikosin. Historia e PAOK-ut është e ngjashme me atë të Partizanit në Shqipëri, që po i kthehet titullit kampion pas 26 vitesh. Të kuqtë presin vetëm matematikën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.