Kombetarja

Panuçin s’e kënaq barazimi në Skoci: Të shfrytëzojmë momentin!

Shqipëria luan në Skoci ndeshjen e dytë në grup në Ligën e Kombeve dhe trajneri Kristian Panuçi, në konferencën e shtypit para kësaj transferte, ka theksuar se skuadra e tij nuk do të zbresë në fushë me mendimin për të marrë një pikë, por për të fituar. Trajneri i kuqezinjve ka lënë të kuptohet se mund të ketë ndryshime në formacion, pasi kundërshtari është shumë më ndryshe nga Izraeli dhe duhet një strategji tjetër për ta përballuar:

“Luajmë pas tri ditësh nga ndeshja me Izraelin dhe do të ndryshoj diçka. Shpresoj të bëj zgjedhjet e duhura dhe të bëjmë një ndeshje serioze me Skocinë. Agolli? Nuk e di nëse do të luajë apo jo, por di të them se është një lojtar i rëndësishëm për ne. Kemi ardhur në Skoci për ta fituar ndeshjen, jo për barazim. I dimë aftësitë dhe defektet tona. E kemi të qartë se përballë kemi një ekip të fortë, por luajmë shanset tona. Do të luajmë në një ambient të zjarrtë, që duhet ta përballojmë. Mendoj se gjendja është e mirë dhe kemi rikuepruar energjitë pas ndeshjes me Izraelin.

Trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi

Skocia është ekip cilësor dhe e respektojmë, por do të provojmë të fitojmë. Goli që i kam shënuar Skocisë është nga momentet më të bukura të karrierës time, por tani jam trajner i Shqipërisë dhe dua të fitoj me Shqipërinë. Nuk është e lehtë me Skocinë, aq më tepër që kundërshtari vjen pas humbjes 4-0. Krenaria e skocezëve duhet respektuar. I druhem krenarisë së kundërshtarit, pasi do të reagojnë me çdo kusht. Ne do të përpiqemi të shfrytëzojmë momentin, të luajmë futboll. Ndryshon shumë nga ndeshja e parë me Izraelin, pasi Skocia luan me top të gjatë. E kam një ide si do të luajmë dhe shpresoj të mos bëjmë gabime si në pjesën e parë të ndeshjes me Izraelin.

Duhet përqendrim maksimal, nëse duam të marrim pikë. Veseli dhe Gjimshiti më bindën, edhe pse Gjimshiti bëri një gabim teknik. Binaku luajti shumë mirë dhe dua të veçoj adaptimin e shpejtë të tij me ekipin. Kam fjalët më të mira për të, pasi ishte ndeshja e parë, ashtu si dhe për Gavazajn, që u paraqit mirë”, - tha trajneri Panuçi në konferencë.

Italiani ka sqaruar edhe grumbullimin e papritur të Ergys Kaçes dhe problemet fizike të Lilës: “Ka pasur një problem muskulor për Lilën dhe pasi pashë gjithë lojtarët e mundshëm, zgjodha Kaçen. Ai do të jetë në stol, sepse ka luajtur 50% të ndeshjeve me ekipin e tij. Nëse duhet në pjesën e dytë, do të luajë. Na duhet të punojmë shumë që të fitojmë grupin. Nuk ka favorite grupi ynë, kemi të njëjtin nivel”, - ka përfunduar trajneri i kuqezinjve.

Ansi Agolli, kapiteni i Kombëtares

Në konferencë ka folur edhe kapiteni Ansi Agolli, i cili nuk u aktivizua në ndeshjen me Izraelin: “Çdo kapiten e ka për detyrë t’u përgjigjet pyetjeve në konferencë shtypi. Trajneri u shpreh qartë në lidhje me aktivizimin tim. Çdo lojtar ndjen keqardhje kur nuk luan, sepse vjen në Kombëtare për të luajtur, por zgjedhjet i bën trajneri. Rëndësi ka që Kombëtarja të ecë përpara dhe të marrë pikë. Është një atmosferë mjaft e mirë të luash në këtë stadium dhe duhet ta shfrytëzojmë momentin. Të luajmë pa emocione. Jam në formë të mirë, por nuk e di a do të luaj”, theksoi Agolli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë