Kombetarja

Panuçi shpreson për Europianin

Trajneri i ekipit kombëtar të futbollit, Kristian Panuçi ka folur për çështjen e kualifikimit në kampionatin europian, pasi është mësuar grupi që do të ndeshim në fazën eliminatore. Në një intervistë për Tv Klan, tekniku italian është shprehur i kënaqur me shortin, duke thënë se ofron shanse reale për t’u kualifikuar. Si për Turqinë edhe Islandën, Panuçi mendon se janë rivalë që me shumë impenjim nga të gjithë dhe pak fat mund t’i kalojmë.

“Jam i kënaqur me shortin. Kemi një grup ku kemi mundësi me Turqinë dhe Islandën. Sigurisht që jam ende i të njëjtit mendim që kam nevojë për të gjithë futbollistët për të provuar t’ia dalim. Turqinë në miqësore e mundën, Islanda është ekip zik, është një grup i vështirë për vendin e dytë por Shqipëria mund të tentojë. Luçesku po vazhdon me rinovimin e skuadrës. Është e një skuadër e ndërlikuar, por fusha na tregoi se kemi mundësi. Mund të shkojë në Europian: Turqia, Islanda apo Shqipëria. Do të shohim dhe do të kërkojmë të jemi më të zotë se ata.”- tha Kristian Panuçi.

Në këtë intervistë, Panuçi i është rikthyer edhe një herë çështjes së polemikave dhe përplasjeve që mund të ekzistojnë brenda grupit të lojtarëve.
“Kam gjetur gjithnjë shumë negativitet, mbi këtë replikoj. Ndoshta jap përshtypjen e polemikut, por duhen analizuar dinamikat e ngjarjeve. Por për mua e rëndësishme të kem gjithë skuadrën. Nuk shoqërohem me gazetarët, por kjo nuk do të thotë se nuk kam respekt për ju. Kur ke mungesa lojtarësh është e vështirë të bësh skuadër. Unë e kam në mendje skuadrën dhe kam folur edhe me presidentin. Duhet të kujtoni se kam provuar 20-21 lojtarë të rinj. Por janë lojtarët ata që vendosin se cili do të grumbullohet me atë që tregojnë në fushë. Për që prej një viti për shkak të mungesave ideja ime nuk ka funksionuar.”- u shpreh trajneri kuqezi.

Më tej trajneri i ekipit kombëtar të futbollit, tha se pika e fortë e Shqipërisë nuk mund të jenë individë të caktuar, por grupi i bashkuar.
“Grupi i lojtarëve është me mua. Tek unë kanë gjetur një mik. Ka pasur lojtarë që nuk luajnë në skuadrat e tyre dhe unë i kam ndihmuar duke i grumbulluar. Por unë e di se çfarë duhet dhe këtë dua të transmetoj. Kjo bëhet gjatë stërvitjeve. Aty duhet të djersinin sepse kemi përgjegjësinë e një kombi. Po flasim për kombëtaren, të gjithë duhet të jenë krenarë që bëjnë pjesë.”- tha trajneri italian.

Shkurtimisht ka folur edhe për raportin me presidentin e FSHF, Duka, të cilin e ka vlerësuar për pjekurinë e treguar në disa raste.
“Duka e kuptoi që ishim në vështirësi, ai e di që skuadra është me mua. Kam fatin të kem një president me nivel intelektual më lart se mesatarja.”- ka thënë ndër të tjera në intervistën e tij Kristian Panuçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë