Kombetarja

Panuçi shembulli më i keq! Mesazhet e Rejës para largimit nga Shqipëria

Gazeta Si – Për pak më shumë se 3 vjet në krye të Shqipërisë, Edi Reja nuk arriti ndonjë sukses të madh, por është fakt që ai sistemoi jo pak gjëra në skuadër. Trajneri italian do të kujtohet për dy fitoret ndaj Hungarisë në aspektin teknik dhe më shumë si një personazh pozitiv e larg polemikave.

Për këtë arsye ai meritoi një lamtumirë të denjë nga stoli kuqezi, duke qenë i pranishëm edhe në prezantimin e trajnerit të ri. Një lloj mirënjohjeje për punën që ai bëri për sa kohë ishte trajneri i Shqipërisë. Në anën tjetër, Reja me çiltërsi ka dhënë disa mesazhe para largimit nga Kombëtarja jonë, disa porosi për stafin e ri dhe drejtuesit e FSHF-së.

Reja kur ishte trajneri i Shqiperise dhe stafi i tij. Gazeta Si, 10 janar 2023

Trajneri veteran u shpreh se ‘e gjeti Kombëtaren pa kokë e pa bisht’. Ai shigjetoi paraardhësin e tij, bashkëkombasin Kristjan Panuçi, por njëkohësisht ia bëri të qartë edhe federatës për të shmangur trajnerët aventurierë, sepse janë kohë e humbur për Kombëtaren.

'Kur erdha për të parë ekipin në Elbasan, vura duart në kokë. Për pak u tërhoqa, thashë çfarë dua unë këtu, - thotë Reja në një intervistë për 'Tp Channel'. Nuk kishte asgjë, megjithë respektin për Panuçin. Filluam me Bulkun dhe Salihin të udhëtonim në Itali, Zvicër e me radhë. Në ndeshjet e para mora përgjigjet që doja dhe thashë keshtu jemi në rregull, mund të vazhdojmë.

Pas Ligës së Kombeve gjërat nuk shkuan aq mirë dhe unë nuk justifikohem, marr përgjegjësitë e mia. Pësuam gol në fund me Islandën dhe pastaj i thashë presidentit të kërkonte trajner tjetër. Nëse do jem i vlefshëm për Shqipërinë, jam gati. Si trajner e kam mbyllur, nuk dua të vdes në pankinë. Silvinjo dhe stafi i tij? Kanë eksperiencë të madhe, kanë luajtur me klube të mëdha. Një zgjidhje më të mirë nuk mund të bënte presidenti".

Rejës fillimisht iu desh të sistemonte gjërat në skuadër, të krijonte një grup stabël e më pas të mendonte dhe punonte për projektin teknik. Ai ka meritë për kalimin pa zhurmë të ndonjë çështjeje brenda skuadrës, duke e mbajtur ambientin e brendshëm të qetë. Kështu ndodhi për shembull në rastin e Eros Grezdës, që u rebelua për zgjedhjet e trajnerit dhe la Kombëtaren, duke u justifikuar me një dëmtim.

Një tjetër mesazh i rëndësishëm i Rejës, ku ai bëri edhe një ‘mea culpa’, kishte të bënte me lojtarët e talentuar të kampionatit shqiptar. Trajneri pranoi se ishte vonuar në afrimin e tyre në Kombëtare dhe se Superiorja ka elementë që vërtet mund t’i shërbejnë asaj. Një mesazh që e ka marrë që në prezantim edhe trajneri i ri Silvinjo.

Edi Reja, ish-trajneri i Kombetares. Gazeta Si, 10 janar 2023

Në vlerësimin për kohën e kaluar në krye të Shqipërisë, përveç punës së bërë për rritjen e skuadrës, Reja evidentoi edhe aspektin human, lidhjen që ai krijoi me vendin tonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë