Kombetarja

Panuçi parkon autobusin, Shqipëria me 5 mbrojtës ndaj Skocisë

“E kam një ide si do të luajmë dhe do të ndryshoj diçka nga formacioni i ndeshjes me Izraelin, sepse është një ndeshje krejt tjetër kjo me Skocinë”, - deklaroi trajneri Kristian Panuçi në konferencën e shtypit. Ai tha gjithashtu se Shqipëria do të luajë për fitore dhe jo për barazim, edhe pse pika do të ishte e kënaqshme në “Hamdem Park”. Por deklarata e dytë e trajnerit italian duket se ka për qëllim që t’i japë besim grupit të futbollistëve, sepse formacioni që pritet të zbresë në fushë duket një formacion tipik për të mos humbur, që bazohet te kundërsulmi. Një formacion me karakter mbrojtës, ku elementë kyç do të jenë Hysaj dhe Binaku, të cilët përveçse duhet të kujdesen për mbrojtjen, duhet të ndihmojnë edhe në lojën sulmuese, për ta kaluar skemën nga 5-4-1 në 3-5-2. Në krahasim me ndeshjen e Izraelit, nga minuta e parë pritet të luajë Mavraj në mbrojtje dhe Balaj në sulm, duke bërë që në stol të ulen Gavazaj dhe Guri.

Formacioni i mundshëm i Shqipërisë

Tomas Strakosha nuk diskutohet në portë, pas paraqitjes shumë të mirë me Izraelin, ku të paktën në tre raste e shpëtoi skuadrën kuqezi nga goli. Përpara portierit të Lacios do të jenë nga e djathta në të majtë Hysaj, Gjimshiti, Veseli, Mavraj dhe Binaku. Gjasat janë që trajneri Panuçi të luajë me tre mbrojtës qendre për të përballuar lojën me krose të skocezëve dhe për këtë duhen centimetra. Hysaj dhe Binaku do të pozicionohen në krahët e mbrojtjes, por ata e kanë kapacitetin fizik të ndihmojnë edhe sulmin me daljet e tyre përpara. Binaku e tregoi se di ta bëjë këtë gjë shumë mirë në ndeshjen me Izraelin, ndërsa Hysaj dihet që del rregullisht në linjën e djathtë. Kapiteni Agolli pritet që edhe këtë ndeshje të jetë në stol, por mund të ketë minuta në varësi të rezultatit.

Portieri Thomas Strakosha në një grushtim gjatë ndeshjes me Izraelin

Migjen Basha do të pozicionohet para mbrojtjes, pasi ai është ndër të vetmit lojtarë që mund të marrë topin nga prapavija për ta nxjerrë ekipin përpara. Taulant Xhaka dhe Ledian Memushaj do të jenë sërish në krah të tij, duke u përpjekur të thyejnë sulmet e Skocisë dhe të organizojnë sulmet e skuadrës kuqezi. Të gatshëm në stol për mesfushën do të jenë Kaçe, Lilaj dhe Ndoj, ndonjëri prej të cilëve mund të përdoret në pjesën e dytë për të freskuar ekipin.

Sulmi në këtë ndeshje pritet që t’i besohet Bekim Balajt, i cili ka më shumë përvojë se Guri dhe mund të jetë më efikas në duelet me mbrojtësit agresivë të Skocisë. Në mbështetje të Balajt pritet të luajë Jahmir Hyka, që mund të veprojë pas shpinës së shkodranit dhe të spostohet në krahë. Nuk është e qartë situata me Grezdën, për të cilin u tha se mund të ishte i gatshëm për këtë ndeshje. Ky është formacioni i mundshëm për ndeshjen në Skoci, por nuk mund të përjashtohet ndonjë surprizë e Panuçit në momentet e fundit.

Kuqezinjtë festojnë fitoren me Izraelin

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë