Emri i trajnerit të Kombëtares së Shqipërisë, Kristian Panuçi, ka përfunduar në Gjykatën e Tiranës. Italiani ka bërë një padi që më 20 korrik për ish-presidentin e Republikës, Bujar Nishani, të cilin e akuzon për fyerje dhe kërkon prej tij një dëmshpërblim prej 100 mijë eurosh. Gjithçka e ka zanafillën pas ndeshjes miqësore mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Shqipëria humbi 0-3 në atë ndeshje dhe një status në Facebook i ish-presidentit të Republikës, Bujar Nishani, ka sjellë irritimin e trajnerit të kuqezinjve. “Panuçi një sharlatan që po shkatërron atë që ishte ndërtuar”, – shkruante Nishani dhe kaq ka mjaftuar që trajneri italian të reagojë dhe t’i drejtohet Gjykatës së Tiranës. Panuçi e akuzon ish-presidentin për fyerje dhe tani palët do të ballafaqohen në gjyq.

Kjo është hera e parë që një trajner i Kombëtares, apo një pjesëtar i saj, përballet në Gjykatë me një politikan. Tani mbetet për t’u parë se kujt do t’i japë të drejtë Gjykata, trajnerit të Shqipërisë, apo ish-presidentit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.